Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka pezulluar nga detyra 6 policë në Shkodër dhe Lezhë, të dyshuar për shpërdorim detyre. Janë pezulluar: Nënkomisar A.B., me detyrë Ekspert kriminalist pranë DVP Shkodër; Inspektor S.K., me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Shkodër; Inspektor Z.D., me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Shkodër; Inspektor K.L., me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Shkodër; Nënkomisar GJ.M., i cili në kohën e kryerjes së veprës penale qenë me detyrë Shef i Stacionit Policor në Theth, dhe aktualisht Zv/Shef Seksioni/Specialist në Seksionin Special të Ndërhyrjes Taktike në Njësinë Speciale “RENEA”; Inspektor F.L., me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Sipas AMP-së, dyshohet se personat e mësipërm nuk kanë asgjësuar rreth 1000 bimë narkotike, të cilat u gjetën në proces tharje gjatë një operacioni të zhvilluar në korrik të këtij viti, pavarësisht se janë konstatuar gjatë kontrollit të territorit në Njësinë Administrative Shalë, Shkodër.
/rtsh.al/