Një nga skenat më të famshme të Greqisë është veshur këtë mbrëmje kuq e zi. Bashkatdhetarët nga të gjitha anët e Greqisë janë mbledhur për të shijuar koncertin gala të organizuar nga Ambasada jonë në Athinë. Nën tingujt e këngëve popullore shqiptare, ata ndodhen këtu për të festuar festat e Nëntorit duke mbajtur me krenari flamurin shqiptar.
Teatri i ri i Operas dhe Baletit i Athinës ishte i tejmbushur me shqiptarë nga çdo qytet i Greqisë, ku nuk mungonin personalitete të fushave të ndryshme.
“Uroj dhe shpresoj që çdo vit Shqipëria dhe shqiptarët të jenë edhe më mirë”, u shpreh një qytetar.
“Jemi shumë krenarë edhe për shtetin tonë, për kulturën”, tha një qytetare.
I ftuar special në këtë ngjarje të rëndësishme në shtetin helen ishte tenori kosovar me përmasa ndërkombëtare, Ramë Lahaj.
Festa e flamurit në shtetin helen nuk është vetëm një moment për të festuar, por edhe një moment krenarie për një komunitet i cili tashmë është pjesë e rëndësishme e shoqërisë greke, por edhe një urë e fuqishme bashkëpunimi dhe komunikimi mes dy vendeve.
“Së fundmi qeveria shqiptare ka nisur një projekt të ri ‘Mësues për Greqinë’, nga ku në muajin dhjetor do të jenë 50 mësuesit e parë të cilëve do t’i atashohet një rrogë mujore”, u shpreh ambasadorja shqiptare në Greqi, Luela Hajdaraga.
Festime dhe aktivitete janë mbajtur edhe në qytetet e tjera të Greqisë ku banojnë shqiptarët, si Selanik, Patra, Korinth dhe Volo.
/RTSH/