RTSH 24 Live

Aktualitet

Mori 330 mijë lekë ryshfet për një tender. SPAK detajon akuzat mbi Sekretaren e Përgjithshme të MSH

03/06/2023

Mori 330 mijë lekë ryshfet për një tender. SPAK detajon akuzat mbi Sekretaren e Përgjithshme të MSH

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar  ka detajuar aksionin që çoi në arrestimin e sekretares së përgjithshme të ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro dhe specialistes në zyrën e prokurorimeve Laura Sheto.

Mësohet se Duro ka marrë 330 mijë lekë për të favorizuar një operator ekonomik në një tender të “Supervizimit për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Përgjatë hetimit u grumbulluan prova se një operator ekonomik do të jepte ryshfet me qëllim shpalljen fitues në një procedure prokurimi të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (në cilësinë e Autoritetit Kontraktor).

Prokurimi në fjalë ishte me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

SPAK vijon më tej kur thotë se hetimet krijuan dyshimin  se Joana Duro  me detyrë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale ka marrë një përfitim të parregullt në shumën prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë, për të favorizuar Operatorin Ekonomik. 

Këto para iu dhanë nga Specialiste e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, Laura Sheto. 

Arrestimi i tyre u bë në flagrancë, ndërsa në zyrën e sekretares së Përgjithshme  u bë dhe sekuestrimi I vlerës monetare dhënë në formën e ryshfetit.

Mbi dy të arrestuarat rëndojnë akuzat “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

/rtsh.al/