RTSH 24 Live

Kronika

I dënuar me 25 vite burg në Itali për vrasje, arrestohet në Tiranë i shumëkërkuari Ilir Paja

03/11/2022

I dënuar me 25 vite burg në Itali për vrasje, arrestohet në Tiranë i shumëkërkuari Ilir Paja

Ilir Paja, i shumëkërkuar në Itali për vrasje, është arrestuar në Tiranë mbrëmjen e kësaj të enjte. Nëpërmjet një njoftimi, Policia bën me dije se Paja është arrestuar për llogari të drejtësisë italiane, ndërsa u kap në zonën e Laprakës, teksa në operacion për arrestimin e tij u përfshinë Njësia Speciale "Fast Albania" dhe Interpol Tirana.

Paja është dënuar nga Gjykata e Apelit në Milano me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasjen e një polici, kryer në bashkëpunim, dhe rrëmbim personi. Ai njihet me nofkën “UFO” nga drejtësia italianë, pasi është arratisur 2 herë nga burgu në mënyrë spektakolare.

Paja është emër i njohur edhe për autoritet shqiptare, teksa në 2008 u arrestua për plagosjen e një polici, ndërsa u lirua në vitin 2017 liruar me kusht nga gjykata e Krujës.

Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët italianë vijon punën për plotësimin e dokumentacionit me qëllim ekstradimin e 49-vjeçarit Paja drejt Italisë.

Njoftimi i plotë i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Dangerous” për kapjen e një personi shumë të kërkuar për krime kundër personit. Operacioni nga Fast Albania, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë. Kapet e vihet në pranga 49-vjeçari nga Tirana, i shumëkërkuar në Itali për vrasje të punonjësve të Policisë.

Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Njësia Speciale “Fast Albania”, bazuar dhe në inteligjencën informative, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Dangerous”. Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë i shtetasit  Ilir Paja, 49 vjec, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person shumë i kërkuar nga autoritetet Italiane pasi Gjykata e Apelit Milano/Itali, e ka dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje, kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi.

Lokalizimi dhe kapja e 49-vjeçarit u bë në Laprakë nga Njësia Speciale "Fast Albania", në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë. Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët italianë vijon punën për plotësimin e dokumentacionit me qëllim ekstradmin e 49-vjeçarit drejt Italisë.

/rtsh.al/