Nga sot (1 shkurt) futet në fuqi harta e re gjyqësore, teksa me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka nisur mbyllja e Gjykatave të Apelit në rrethe. Gjykatat e Apelit në Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe Vlorë kanë ndërprerë veprimtarinë e tyre më 31 janar, teksa tashmë do të jetë vetëm një Gjykatë Apeli në Tiranë. Në rrethe do të mbeten të hapura zyra informacioni për qytetarët, ku do të mund të depozitohen vetëm kërkesat.
Të gjitha çështjet gjyqësore të cilat nuk kanë përfunduar, do të transferohen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe do të rindahen me short elektronik, ku do të përcaktohet gjyqtari që do t’i shqyrtojë. Ndërkohë, çështjet gjyqësore të transferuara, për të cilat ka filluar apo është planifikuar shqyrtimi gjyqësor në Gjykatat e Apelit Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe Vlorë, nuk do t’i nënshtrohen rindarjes me short, por do të vijojnë të shqyrtohen nga të njëtët gjyqtarë. Ndërkohë, gjykatat e shkallës së parë do të mbyllen më 1 maj.
Harta e re gjyqësore do të funksionojë me 16 gjykata në total, 12 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative. KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, duke hequr pesë gjykatat Administrative që do jenë në vetëm dy, një në kryeqytet dhe një në qytetin e Lushnjes dhe duke lënë vetëm 12 gjykata të Shkallës së Parë nga 22 që ishin.
Kundër saj dolën Shoqatat e Avokatëve në rrethe, të cilët për disa javë bojkotuan seancat gjyqësore, duke argumentuar se harta e re gjyqësore largonte qytetarët nga e drejta për të marrë shërbimin gjyqësor. Të martën, kreu i Dhomës së Avokatisë Shkodër, Anton Kosteri kundërshtoi këtë model, teksa u shprehe se tashmë reagimi kundër kësaj harte do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.
/rtsh.al/