Nga 1 shkurti nis zbatimi zyrtarisht i skemës së re të sistemit gjyqësorë ku do të ketë shkrirje të gjykatave të Apelit në rrethe. Zbatimi nis me mbylljen e gjykatave të Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës, Korçë dhe Gjirokastër. Në gjykatat e Apelit ka nisur puna për transferimin e dosjeve dhe stafeve drejt Tiranës.
Kreu i Dhomës së Avokatisë Shkodër, Anton Kosteri kundërshton këtë model. Kosteri shprehet se tashmë reagimi kundër kësaj harte do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa thotë se problematikat do reflektohen në xhepat e qytetarëve që kanë probleme me ligjin, do të ketë edhe një fluks sa i takon dosjeve
Kosteri thotë se Gjykata e Apelit në Tiranë nuk ka kapacitetet për t’i shërbyer qytetarëve . Ndërkohë nga 24 punonjës të administratës do mbesin vetëm 3 dhe nuk dihet fati i të tjerëve në Gjykatën e Apelit Shkodër.
Harta e re gjyqësore e cila u hartua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, hasi në kundërshtimet e avokatëve, të cilët bojkotuan për disa javë edhe seancat. Harta e re gjyqësore do të funksionojë me 16 gjykata në total, 12 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative.
KLGJ shkriu 18 gjykata duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, nga 5 gjykata Administrative do jenë në vetëm 2, në kryeqytet dhe në Lushnje, ndërsa nga 22 gjykata që ishin, me hartën e re, nga 1 shkurti do të jenë vetëm 12 gjykata të Shkallës së Parë.
/rtsh.al/