RTSH 24 Live

Ekonomi

Hetohen karburantet, Autoriteti i Konkurrencës: Nuk ka asnjë shkelje të ligjit

25/01/2023

Hetohen karburantet, Autoriteti i Konkurrencës: Nuk ka asnjë shkelje të ligjit

Nuk ka asnjë shkelje të ligjit të konkurrencës nga kompanitë shqiptare që tretojnë me shumicë naftën dhe benzinën. Njoftimi vjen nga Autoriteti i Konkurrencës që ka hetuar këtë treg nisur nga shqetësimet që u raportuan nga media-t. Ky është vendimi i fundit i Autoritetit të Konkurrencës, i marrë në mesin e muajit dhjetor të vitit që kaloi dhe i bërë publik këto ditë nga vetë autoriteti.

Sikurse shihet qartë, edhe në këtë hetim paraprak të tregut të tregtimit me shumicë të  hidrokarbureve, nuk është bërë e mundur të gjendet shkelje e ligjit të konkurrencës.

Autoriteti i Konkurrencës thotë se është nisur nga shqetësimet e nritura në media mbi rritjen e çmimit të karburantit të llojit naftë dhe benzine, që e kanë vënë në lëvizje për të monitoruar çmimin e karburantit naftë dhe benzinë, pranë ndërmarrjeve të cilat operojnë në tregun e tregtimit me pakicë të karburanteve.

Monitorimi filloi në muajt janar –shkurt të vitit 2022, kur u konstatua një rritje periodike e vazhdueshme e çmimit të karburantit në Shqipëri. Në këtë kohë nafta tregtohej me rreth 190-192 lekë, ndërsa benzina deri në 194 lekë, nivelet më të larta kombëtare.

Sipas autoritetit, rritja e çmimit të naftës dhe të benzinës ishte reflektuar në të gjithë tregun e shitjes me pakicë dhe për pasojë ka rezultuar në çmime përgjithësisht më të larta për konsumatorin fundor, duke krijuar dyshimin e arsyeshëm se mund të jemi para shkeljes së ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Komisioni i Konkurrencës hapi procedurën e hetimit paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzene, duke vendosur hetimin në këtë treg për periudhën kohore 1 janar 2021 deri në 25 shkurt 2022.

U kryen inspektimet në të njëjtën kohë në 5 ndërmarrjet kryesore: Bolv Oil SHA, Kastrati Group SHA, Gega Oil Group SHA, Europetrol Durrës Albania SHA, Skënderi G SHPK. Autoriteti njofton se grupet e inspektimit, gjatë periudhës së hetimit, kryen inspektime pranë 13 subjekteve që ushtrojnë veprimtari në tregun e tregtimit të karburanteve naftë dhe benzinë.

Në përfundim të këtoij hetimi paraprak Autoriteti i Konkurrencës vendosi mbylljen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e tregtimit të karburanteve naftë dhe benzene, duke deklaruar se “ndërmarrjet që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë, kanë detyrimin ligjor të mos bëjnë marrëveshje dhe/ose praktika të bashkërenduara, të cilat pengojnë, kufizojnë ose shtrembërojnëe konkurrencën, duke caktuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi;

Po ashtu ndërmarrjet detyrohen nga ky vendim të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet, apo edhe të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë.

Ky është hetimi i disatë i ndërmarrë nga ky autoritet, i cili, duke filluar mnga viti 2005 nuk ka gjetur asnjëherë abuzim me pozitën domunuese apo edhe vendosje horizontale dhe vertikale të çmimeve të karburanteve, që përbëjnë shkelje të ligjit.

Kompanitë hidrokarbure kanë respektuar ligjin në fjalë sa i përket tregtimit me shumicë të naftës dhe benzinës, thotë autoriteti i Konkurrencës.

/rtsh/