RTSH 24 Live

Aktualitet

Hetimet për vrasjen në Rrëshen/ Dyshohet nga vrasës me pagesë. Pjestarët e fisit Reçi mohojnë të kenë lidhje

27/09/2023

Hetimet për vrasjen në Rrëshen/ Dyshohet nga vrasës me pagesë. Pjestarët e fisit Reçi mohojnë të kenë lidhje

Mbi 10 persona janë shoqëruar në polici për vrasjen e Martin Bardhit në Rrëshen, ndërsa fisi Reçi mohon të ketë lidhje me ngjarjen.

Eleminimi fizik i Martin Bardhit dyshohet se është bërë nga vrasës me pagesë. Grupi që po heton ekzekutimin e 59- vjeçarit dhe plagosjen e 3 personave të tjerë në një lokal në Rrëshen, dyshon se autorët janë ndihmuar nga persona të tjerë, të cilët kanë dhënë informata mbi lëvizjet e shënjestrës, i mbajtur nën vëzhgim prej më shumë se 1 muaji.

Ata kanë në dorë pamjet e  kamerave të sigurisë të disa bizneseve në qytet si dhe përgjatë akseve rrugore nga ku mendohet se ka lëvizur automjeti i autoreve që rezulton me targa të falsifikuara

Dyshimet e para u përqendruan në pistën e hasmërisë, për shkak të konflikteve që viktima Martin Bardhi kishte me pjesëtarë të fisit Reçi, por këta të fundit në dëshminë e tyre kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen.

Të shoqëruar janë dhe disa persona të tjerë, pasi nuk përjashtohen probleme të tjera që viktima apo pjestarë të familjes së tij mund të kenë pasur brenda dhe jashtë vendit.

Në Mirditë, vijon të ketë forca të shumta policie përfshire dhe ata të RENEAS të cilët po ushtrojnë kontrolle të pandërprera në disa zona në kërkim të ndonjë gjurme të lënë nga autorët ende të paidentifikuar që në largim e sipër dogjën fuoristradën në fshatin Gziq.

Tre të plagosurit Ilir Bardhoku,  Olti Gjini, dhe Indrit Bardhi, raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës në Tiranë.

Gazetare: Heriselda Dyrmishi

/rtsh.al/