Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka përfshirë banesën e tyre. Sipas informacioneve paraprake bëhet me dije se nënë e bir, Rexh Lushi dhe Fatime Lushi, nuk kanë mundur t'u shpëtojnë dot flakëve, ndërsa bashkëshortja e Rexh Lushit ka arritur të dalë nga banesa.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Nikoliq në Has, në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte (19 shtator).
“Rreth orës 02:00, në fshatin Nikoliq, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetasit R. L.
Si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasi R. L. dhe nëna e tij, shtetasja F. L., ndërsa bashkëshortja e shtetasit R. L., shtetasja A. L., ka mundur të dalë nga banesa”, thuhet në njoftim.
Grupi hetimor, në drejtimin e prokurorit, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
Sakaq, Shkelzen Xhebexhia, fqinji i familjes Lushi në një prononcim për RTSH 24, ka deklaruar se 57-vjeçari Rexh Lushi ka hyrë për të shpëtuar nënën e tij nga flakët, por fatkeqësht nuk ka mundur të dalë më.
“Rexha ka jetuar këtu me nënën e vetë. fëmijët i ka në emigrim, vëllezërit në emigrim. Vetëm me gruan dhe nënën.
Në orën 1 të natës, e ka marrë vesh Rexha, ka dalë jashtë, ka lajmëruar policinë dhe ka hyrë të nxjerrë nënën e vetë dhe ka mbetur. Bashkëshortja ka dalë jashtë. Energjia dyshohet se ka qenë shkaku. Konflikte me asnjë nuk ka", tha ai.
/rtsh.al/