Panairi ndërkombëtar “Future2Tech” vjen më 21-22 shtator në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, si një nga ngjarjet më të rëndësishme për sipërmarrjet në fushën e teknologjisë dhe bizneset që lidhen me të.
Future2Tech, është panairi i parë, dedikuar teknologjisë dhe inovacionit, ku përfaqësues nga sektorë të ndryshëm kanë mundësinë të njihen me inovacionin e kompanive shqiptare në fushën e teknologjisë dhe të pasqyrojë nismat, përpjekjet, bashkëpunimet, mundësitë dhe sfidat e kësaj fushe, si në shërbimin publik edhe atë privat.
Organizatorët njoftojnë se, krahas qindra brandeve dhe kompanive vendase e ndërkombëtare, Future2 Tech do të sjellë edhe ngjarje për të mos u humbur.
Në panelet e parashikuar në dy ditët e eventit, do të diskutohet nga liderë të biznesit, vendas dhe të huaj, për teknologjinë në edukim, fintech, risitë në treg, AI, etj.
Panairi i teknologjisë pritet të krijojë mundësi të reja ndërveprimi mes sipërmarrjeve të kësaj fushe, si dhe rritjen e shfrytëzimin e teknologjisë në të gjitha proceset tona krijuese.
Sipas organizatorëve, aktiviteti ka ngjallur një interes të veçantë, sidomos mes kompanive të lidhura me teknologjinë, qoftë për produktet hardware, ashtu dhe për produktet dhe shërbimet software.
“Partnerët dhe ekspozuesit tanë synojnë të prodhojnë vlerë për panairin në nivel multidimensional, jo vetëm duke prezantuar shërbimet dhe produktet e tyre inovatore, por duke organizuar forume e prezantime të rëndësishme për informimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit të profesionistëve, e më gjerë. Kjo është edhe pjesë e misionit të AlbaniaTech për të bashkuar dhe aktivizuar të gjithë aktorët e Ekosistemit Shqiptar të Inovacionit” u shprehën organizatorët.
Mes fushave pjesëmarrëse, do të dominojnë kompanitë që ofrojnë shërbime software, fintech, gaming etj. Por, nuk mbeten prapa dhe kompanitë më në zë për produkte hardware, gjithashtu me pajisje si printera, VR, etj.
Folës ndërkombëtarë, siç është Sirous Kavehercy, do të jenë pjesë e eventit, ku do të informojnë dhe të na entuziasmojnë me informacione interesante rreth fushës së teknologjisë, inovacionit dhe edukimit si shtyllat kyçe të panairit në tërësi.
/ rtsh.al /