RTSH 24 Live

Botë

Guterres: Të ndalohet cikli i hakmarrjes në Lindjen e Mesme!

19/04/2024

Guterres: Të ndalohet cikli i hakmarrjes në Lindjen e Mesme!

Ka ardhur koha për të ndaluar ciklin e rrezikshëm të hakmarrjes në Lindjen e Mesme, tha të premten sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit.

“Sekretari i përgjithshëm dënon çdo akt hakmarrjeje dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të rrisin përpjekjet për të parandaluar çdo zhvillim të mëtejshëm që mund të çojë në pasoja shkatërruese për të gjithë rajonin dhe më gjerë”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarriç në një deklaratë.

Një raketë izraelite goditi të enjten në mbrëmje Iranin. Shpërthimet u dëgjuan në provincën qendrore të Isfahanit.

Irani ka qenë në gatishmëri të lartë pasi Izraeli tha se do t’i përgjigjej sulmit të Teheranit të shtunën në mbrëmje.

Irani gjuajti më shumë se 300 dronë dhe raketa në sulmin e tij të parë të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit.

Pothuajse të gjithë u kapën nga mbrojtja ajrore izraelite me mbështetjen e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe aleatëve të tjerë.

/ rtsh.al /