RTSH 24 Live

Botë

Lufta në Gaza, Turqia ndërpret të gjitha lidhjet tregtare me Izraelin

02/05/2024

Lufta në Gaza, Turqia ndërpret të gjitha lidhjet tregtare me Izraelin

Turqia ndërpret të gjitha lidhjet tregtare me Izraelin duke filluar nga sot, e enjte (2 maj).

Më 9 prill, Turqia kishte njoftuar vendosjen e embargos së eksportit ndaj Izraelit për 54 kategori produktesh, si reagim ndaj operacioneve të ushtrisë izraelite në luftën e Gazës.

Katalogu në atë kohë përfshinte lloje të ndryshme produktesh, kryesisht materiale ndërtimi si alumini dhe çeliku, bojëra, kabllo elektrike, materiale ndërtimi, lëndë djegëse dhe lëndë të tjera të para.

Vëllimi i tregtisë midis dy vendeve u regjistrua në 6.8 miliardë dollarë në vitin 2023.

Lajmi u konfirmua nga një postim në platformën X nga ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, duke akuzuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, se shkel marrëveshjet duke bllokuar portet për importet dhe eksportet izraelite.

"Kështu sillet një diktator, duke injoruar interesat e popullit dhe biznesmenëve turq dhe duke injoruar marrëveshjet tregtare ndërkombëtare. Izraeli do të shfaqet me një ekonomi të fortë dhe të guximshme. Ne fitojmë dhe ata humbin”, shprehet ministri i Jashtëm izraelit.

/rtsh.al/