RTSH 24 Live

Aktualitet

Grupi i trafikut të armëve Shqipëri-Kosovë, detaje të reja nga hetimi i prokurorisë

3 orë para

Grupi i trafikut të armëve Shqipëri-Kosovë, detaje të reja nga hetimi i prokurorisë

Zbardhen detaje nga hetimi i prokurorisë së Tiranës lidhur me grupin e trafikut të armëve që u godit pak ditë më parë mes dy vendeve Shqipëri–Kosovë.

Sipas hetimeve, në muajin shkurt të këtij viti, Valter Osmani alias Manoli i shiti 4 armë pistoleta Tonin Shkambit.

Grupi hetimor përmes autorizimit për vëzhgim dhe përgjim ambiental, bleu një armë zjarri tip pistoletë me mbishkrimin “EKOL” nga shtetasi Tonin Shkambi.

Nga akti i ekspertimit ka rezultuar se arma e zjarrit realizon qitje normale me fishekë standarde luftarake.

Gjatë veprimeve hetimore, është mësuar që Shkambi bashkëpunonte me Endri Papën, i cili punonte taksist në vendin tonë, kjo me qëllim shitjen e armëve të zjarrit ose shkëmbimin e tyre me lëndë narkotike.

Po me veprime simuliese, agjentët kanë blerë një tjetër armë zjarri të llojit “Zoraki”, këtë herë te shtetasi Endri Papa, i cili e ka kryer shitjen me automjetin e tij Volswagen.

Emri i Valter Osmanit (Manoli) lakohet në disa episode në dosje. Ky i fundit në një rast ka shitur një granadë dore mbrojtëse, e cila është blerë po nga agjentët dhe demontimi i saj është bërë ne ambientet e Drejtorisë Vendorë të Policisë Tiranë, ku i gjithë procesi është filmuar, për tu administruar si provë materiale.

I njëjti person i shiti Gersi Llozhit si dhe Aurel Manrekës një armë të llojit “ZORAKI”, të cilat më vonë u ble po nga ana e agjentëve. Armët referuar ekspertimit, ishin konvertuar për tu përdorur me fishekë standard.

Duke përdorur linjën e autobusit “Arditi Tours”, Manoli trafikoi 5 armë zjarri nga Kosova drejt Tiranës si dhe 10 fishekë.

Prokuroria e Tiranës thotë se nga ekspertimet e bëra, është konkluduar se nga armët e sekuestruara nuk janë përftuar gjurmë papilare të vlefshme.

Euxhenio Manushi në datë 7 tetor të këtij viti, kontakoi me disa persona për të shitur një automatik. Ky i fundit ia shet armën një agjenti, duke ia dhënë me një çantë të zezë, ku në vendin e takimit shkoi me automjetin e tij “Mercedez Benz”.

Sa i përket të arrestuarit Kleos Muçalliu, organi i akuzës ka provuar që ai është takuar me Valter Osmanin në terminalin e autobusëve dhe pasi konsumojnë kafe, ky i fundit i jep Muçalliut diçka.

26-vjeçari ndalohet nga shërbimet e “Shqiponjas”, ku pas kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet gjejnë 50 fishekë, për të cilat Kleos thotë që i ka marrë nga një dw nga Kosova.

Pas këtyre veprimeve hetimore prokuroria ka kërkuar arrestimin e këtyre personave, ndërsa sekuestroi një sërë provash materiale.

Personat të cilët u vendosën në pranga në kuadër të këtij operacioni u lanë në masën e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Tiranës.

/rtsh.al/