Ndërsa kanë kaluar 30 ditë nga vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, prindërit e tij kërkojnë drejtësi dhe dorëheqjen e Ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu dhe të drejtoreshës së shkollës "Fan Noli".
Me dhembje të madhe, prindërit e të ndjerit Martin Cani i janë bashkuar sot (18 dhjetor) protestës përpara Ministrisë së Arsimit, për të deklaruar se atyre po u bëhet një vrasje e dyfishtë.
E ëma e të ndjerit u shpreh para prindërve dhe nxënësve të pranishëm se ngjarja mund të parandalohej nëse prindërit do të ishin vënë në dijeni mbi sherrin që kanë pasur të miturit.
“Kam mbetur pa punë vetëm që të edukoj Martinin, por ma morën. Morën gjithçka unë kisha.
Të japin dorëheqje kush nuk e mbrojti Martinin. Nga dera e shkollës deri te ministrja dhe Edi Rama. Kush nuk e mbrojti Martinin?
Ai ishte fëmijë i buzëqeshur. Martini ishte i veçantë. Kishte ëndrra të mëdha.
Nga 30 ditë që u bënë sot vetëm qaj. Ku janë nënat? Unë jam nëna e gjithë fëmijëve shqiptarë sot. Martini iku, por të mbrohen gjithë Martinat e tjerë. Dua dorëheqjen e Ministres, mësuesja kujdestare që s’më tha asnjë fjalë. Kishte parandalim për ato dy fëmijë.
Drejtësi për Martinin dhe Luizin, sepse Luizi është fëmija im tani, është djali im. Drejtësi edhe për Luizin. Ogerta jep dorëheqjen! Nuk mbahet karrigia me gjakun e një fëmije.
E dërgova Martinin në shkollë. E rrita me djers atë fëmijë. Kam punuar 12 vite në arsim dhe dhash dorëheqjen që të edukoja e rrisja fëmijën tim. Bëja biseda pafund me Martinin. Fëmija im nuk ishte agresiv. Ja morën ëndrrat djalit tim. Ku do e gjej drejtësinë unë këtu?
Ka 30 ditë që qaj. Vetëm dorëheqje kërkoj. Po na vrasin përditë e më shumë. Po më bëjnë vrasje të dyfishtë. Drejtoresha e shkollës, kjo është vrasje e dyfishtë. Ju s’jeni nëna, se s’paskeni gjak. Morët gjakun e fëmijës tim”, deklaroi e ëma e të ndjerit Martin Cani.
14-vjeçari Martin Cani u qëllua për vdekje me thikë pranë shkollës “Fan Noli” nga bashkëmoshatari i tij, i cili aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg”.
/rtsh.al/