Zgjedhja si drejtuese politike e Partisë Demokratike për Diasporën e ka rikthyer në jetën aktive të politikës ish-nënkryetaren e demokratëve, Jozefina Topalli.
“Kisha vendosur kohët e fundit të mbaja një profil të ulët, por kam qenë e angazhuar gjithë kohën me strukturat politike të PD-së, në qarkun e Lezhës prej 3 vitesh e gjysmë, ku kemi bashkëpunuar në Lezhë, Laç, Rrëshen etj., ku kemi qenë të angazhuar në zgjedhje të ndryshme”, tha Topalli.
Edhe pse e para grua që drejtoi parlamentin për dy legjislatura, me eksperiencë të gjatë në politikë, për Jozefina Topallin konsiderohet sfidë besimi që i është dhënë për të maksimalizuar votën e shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit në zgjedhjet e 11 majit.
“Nuk pretendojmë të bëjmë takime të mëdha të zhurmshme dhe as në salla luksoze, por takime njerëzore, të shpeshta dhe intensive”, u shpreh ajo.
Në intervistën për RTSH-në, ish-nënkryetarja e demokratëve thotë se është shpresëplotë se vota e diasporës do të jetë përcaktuese për të firmosur ndryshimin më 11 maj, pavarësisht se kundërshtarët politikë kanë vendosur tërë pushtetin, tha ajo, për të orientuar këtë votë, që mundësohet për të parën herë.
“Kundërshtari politik po shfrytëzon në mënyrën më antikushtetuese dhe antiligjore administratën e vet, e ka përgatitur situatën përpara ndryshimit të Kodit Zgjedhor që erdhi si rezultat i detyrimit ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Vështirësi që ka opozita për shkak se i mungojnë financat, ajo ka qenë në një situatë shumë të vështirë brenda vetes. Kur kombi zgjohet me mendimin dhe vendimin për të ndryshuar situatën ai ka të gjithë forcën për ta realizuar një gjë të tillë”, deklaroi Topalli.
Vështirësitë duket se nuk e dekurajojnë në politikë Jozefina Topallin. Ajo thotë se demokratët ia kanë dalë të ngrihen mbi vështirësitë e tri dekadave, veçanërisht ndaj agresionit që iu bë tre vitet e fundit, që kulmuan me arrestimin politik të liderit të demokratëve, Sali Berisha.
“Kur kryetarin e partisë nuk e blejnë, atë e arrestojnë. Ky është një moment reflektimi i madh për çdo qytetar”, theksoi ish-nënkryetarja e demokratëve.
Jozefina Topalli ka bindjen se PD-ja është alternativë fituese.
“E vetmja! Nuk ka asnjë forcë tjetër politike që të jetë e qartë dhe të ketë eksperiencën dhe fuqinë e mbledhjes së konsensusit qytetar për të ndryshuar situatën”, tha ajo.
Për t’i mundësuar vendit mirëqeverisjen pas 11 majit, vota e diasporës është përcaktuese, shprehet Topalli, ndërsa i fton bashkatdhetarët të ndjekin procedurat e regjistrimit sipas udhëzimeve të institucionit të administrimit të zgjedhjeve.
Gazetare: Anisa Kadesha
/RTSH/