RTSH 24 Live

Politikë

“SPAK po përdoret”, Mediu: Opozitës i duhen figura të reja, të cilat vijnë nga diaspora

3 orë para

“SPAK po përdoret”, Mediu: Opozitës i duhen figura të reja, të cilat vijnë nga diaspora

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i ftuar në studion e RTSH 24 komentoi zhvillimet politike brenda kampit opozitar, si dhe procesin gjyqësor ndaj tij, ku akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre në çështjen "Gërdeci".

Ish-ministri i Mbrojtjes akuzoi se procesi ndaj tij është politik dhe i padrejtë, pasi kur ndodhi ngjarja ai ishte në rolin e ministrit dhe jo të ekspertit të municioneve dhe armatimeve ushtarake.

“Gjykata dhe Prokuroria kanë marrë një vendim të ndërmjetëm që kanë thënë që shpërthimi i Gërdecit nuk ka të bëjë me aktet dhe veprimet e ministrit. Akuza karshi meje nuk ka të bëjë me shpërthimin në Gërdec por ka të bëjë me atë të konsideruar shpërdorim detyre. Kur isha ministër Mbrojtje punoja për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Nuk ma kishte marrë mendja kurrë që të vinte një ditë që ministri të konsiderohet ekspert i armatimeve, municioneve apo financier i një strukture e Forcave të Armatosura. Detyrat dhe pozionionet e ministrit të Mbrojtjes si funksionar politik dhe civil janë të përcaktuara. Ndaj ka një ndarje të qartë në të gjitha vendet  e NATO-s të funksioneve politike me funksionet civile”, tha Mediu. 

I pyetur për situatën dhe zhvillimet politike në vend dhe faktin që liderët kryesorë të opozitës po përballen me SPAK, Mediu tha se duhet pritur vendimi i Gjykatës, duke vënë theksin te prezumimi i pafajësisë.

Drejtësia vendoset në gjykatë. SPAK është organ i akuzës. Një nga themelet e shtetit të së drejtës është prezumimi i pafajësisë. Nëse fajësinë e japim për shkak të qëndrimeve të SPAK, ne jemi një shtet që po kthehemi në kohën e diktaturës”, deklaroi Mediu në RTSH 24.

Mediu iu bashkua akuzave të opozitës për një përdorim politik të SPAK-ut, duke hedhur dyshime mbi mundësitë që zgjedhjet e 2025-ës të jenë të lira dhe të ndershme.

Përdorimi i SPAK për qëllime politike është tashmë një qëndrim dhe përfundim i PPE-së, që është forca kryesore e partive politike në Parlamentin Europian. Ato kanë përmendur dhe element të tjerë se si lidhet kjo marrëdhënie që ka krijuar SPAK duke sulmuar lidershipin e opozitës katër muaj para zgjedhjeve, dhe njëkohësisht raporteve kriminale dhe korruptive të qeverisë nuk preken. Nëse SPAK futet në një proces të tillë si mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme kur ti e portretizon lidershipin e opozitës në një marrëdhënie penale dhe korruptive 15 vite pasi ka lënë pushtetin.  Njëkohësisht përpiqet që të mbash një qëndrim të distancuar nga aferat korruptive të qeverisë. Në qoftë se Sigurimi i Shtetit është zëvendësuar me SPAK si një vegël në duart të mazhorancës për të goditur politikisht, ne shkojmë drejt shuarjes së pluralizmit politik”, theksoi kreu i PR-së.

Sipas Mediut, qëllimi i hetimeve të SPAK-ut ndaj liderëve kryesorë të opozitës është ndikimi në publik para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kreu i PR-së sugjeron krijimin e një aleance politike, teksa vë theksin edhe te nevoja për figura të reja në opozitë. 

Ky është një proces për të ndikuar në publik. Nuk është proces puritan drejtësie. Jemi para situatës ku shtrohet pyetja, pse nuk ikin kur janë në hetim nga SPAK. Nëse ikin këta, Edi Rama qëndron 100 vite në pushtet. Patjetër që ka alternativa të tjera, por secili nga këta ka peshë elektorale dhe pa shumatoren e kësaj peshe elektoralë, Rama qëndron gjithë kohën në pushtet. Është shumë e rëndësishme në këtë situatë krijimi i një koalicioni politik dhe elektorale.  Kemi shumë parti opozitare që duhet të shikojnë që votat që ata marrin të kthehen në mandate, në të kundërtën ato kthehen në një avantazh për mazhorancën. Në planin politik mendoj se duhet ndërtuar një aleancë politike. Kemi nevojë për një aleancë për gjithë spektrit politik opozitar kundër kësaj qeverisje. Duhen të bashkohen gjithë shqiptarët për shtetin e së drejtës në Shqipëri. Së dyti duhet të sjellin dhe figura të reja të cilat vijnë nga diaspora apo dhe brenda Shqipërisë që të jenë pjesë e Parlamentit por dhe qeverisjes nesër”, deklaroi ai.

/rtsh.al/