RTSH 24 Live

Muzikë

Prapaskenat e Fest 63 - Andri Xhahu e Alesia Burnazi tregojnë çfarë do të ndodhë pas kuintave

3 orë para

Prapaskenat e Fest 63 - Andri Xhahu e Alesia Burnazi tregojnë çfarë do të ndodhë pas kuintave

Festivali i Këngës në RTSH një traditë në dhjetëra dekada nuk është vetëm një garë mes artistësh, por edhe përjetim i fortë emocionesh. Skena i vesh artistët me magjinë e saj, ndërsa përjetimet janë po aq të forta edhe para interpretimit live për publikun.

Një hap larg skenës do të jenë gazetari dhe moderatori i RTSH-së Andri Xhahu, sëbashku me moderatoren Alesia Burnazin.

 Ata zbulojnë risinë e këtij edicioni të 63-të, në këndin e ndërtuar posaçërisht për artistët në garë.

Është momenti më i bukur që unë mezi e pres nga Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Këtë vit jam shumë mirënjohës që më kanë besuar sërish, bashkë me Alesian, këndin që do t’i dedikohet të gjithë artistëve dhe emocioneve që nuk mund t’i shohim në skenë. Do të zbulojmë gjithçka aty, dridhje duarsh, emocione, zhgënjim nga një stonim, nuk dëgjojnë mirë apo nuk kanë ardhur ndoshta njerëzit e tyre në sallë. Nga ana tjetër edhe emocionet të cilat kanë të bëjnë me gjithçka ndodh me përgjegjësinë e madhe të Festivalit të Këngës”, u shpreh moderatori Xhahu.

Nga ana e saj, Burnazi tregoi se ndjehet e emocionuar, ndërsa vlerëson besimin që i është dhënë në këtë event.

“Për mua është hera e parë dhe jam pak e emocionuar, por mendoj se nuk krahasohet me emocionet e artistëve që do t’i sjellim live për publikun në RTSH24 në prapaskenën e Festivalit. Po e marr si një sfidë personale dhe një kujtim të bukur që uroj ta kem në memorien time shumë kohë", tha Burnazi.

Një mundësi drejt suksesit janë edhe artistët e rinj. Për ta, debutimi në Fest 63 është një rrugë e sigurt drejt afirmimit në arenën e muzikës shqiptare, por jo vetëm një mundësi për të prekur edhe skenat ndërkombëtare.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/