RTSH 24 Live

Muzikë

Nesër fillon Fest 63, "të vjetër" e të rinj ndihen njëlloj të emocionuar në skenë

4 orë para

Nesër fillon Fest 63, "të vjetër" e të rinj ndihen njëlloj të emocionuar në skenë

Pak orë na ndajnë nga nisja e ngjarjes më të madhe të muzikës në vend, kur bashkë me festat e fundvitit në këtë funddhjetor vjen edhe një buqetë këngësh për publikun shqiptar.

Një kozmos artistik dhe pikëtakim brezash të një gjenerate që bënë histori, zëra të afirmuar të muzikës shqiptare, krah tyre edhe artistë të rinj premtues në muzikën shqiptare.

Ky edicion i 63-të i Festivalit të Këngës sjell në skenë për herë të parë këngëtarin e njohur të serenatës korçare, Mihallaq Andrean. Ai zbulon arsyen që do ta ngjisë në skenën e Pallatit të Kongreseve.

Ishte kjo këngë që më solli në festival dhe mesazhi që përcjell tek njerëzit. Ishte pak e vështirë pasi janë të gjithë të rinj, por po ndjehem mirë”, shprehet këngëtari.

Rikthehen në të njëjtën skenë edhe grupi "Djemtë e Detit" dhe këngëtarë të tjerë të njohur.

Çdo gjë po shkon shumë mirë, sëbashku me çunat jemi në formë të mirë. Do japim maksimumin, jemi mbledhur posaçërisht për këtë event dhe do japim më të mirën”, shprehen ata.

Këngëtarja Orgesa Zaimi tregon emocionet e saj për pjesëmarrjen në këtë event.

Festivali është një ndër të preferuarit e mi mbase dhe për faktin që unë jam këngëtare e muzikës live dhe e shijoj në maksimum. Emocionet janë shumë të mëdha, momentalisht kam frikë vetëm mos më “ikën zëri”. Kam marrë një kor fëmijës, për ta bërë të veçantë. Është pak e vështirë, por do jetë shumë e bukur dhe një kujtim i bukur për fëmijët që do më shoqërojnë në skenë”, tregon këngëtarja.

Të rinjtë do të ngjiten në skenë për të shijuar magjinë e saj, pse jo edhe me dëshirën për të qenë fitues.

Festivali i 63-të në RTSH nis këtë të enjte nga data 19 deri më 22 dhjetor, mes emocioneve të forta dhe surprizave të shumta gjithashtu.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/