RTSH 24 Live

Aktualitet

Greva në Greqi bllokon kalimin e automjeteve në Kakavijë, lejohen vetëm këmbësorët

8 orë para

Greva në Greqi bllokon kalimin e automjeteve në Kakavijë, lejohen vetëm këmbësorët

Pika kufitare e Kakavijës nga ora 07:00 deri në orën 23:00 të së premtes është mbyllur për kalimin e automjeteve, ndërsa do të lejohet vetëm kalimi për këmbësorët, mjetet e transportit të produkteve që prishen dhe automjetet për emergjenca shëndetësore.

Shkak për ndërprerjen e punës janë bërë zhvillimet në doganën greke, ku doganierët i janë bashkuar një greve të përgjithshme dhe mobilizimi mbarëqytetar, teksa Greqia kujton sot (28 shkurt) 57 viktimat e aksidentit tragjik hekurudhor të vitit 2023.

Sipas njoftimit të policisë kufitare të Janinës, greva do të prekë edhe pikat e kalimit kufitar në Qafë-Bot dhe Tre Urat.

“Prej orës 07.00 në doganën e Kakavijes është bllokuar lëvizja e automjeteve. Sipas grevës së paralajmëruar të doganierëve grekë nga ora 07:00 deri në orën 23:00, në të dyja anët e kufirit, nuk do të ketë lëvizje të mjeteve. 

Në këtë fashë orari do të lejohen të qarkullojnë vetëm këmbësorët, mjetet e transportit të produkteve që prishen dhe automjetet që do kenë emergjenca shëndetësore. Në orët e mëngjesit në doganën shqiptare nuk konstatohet radhë automjetesh si shkak i bllokimit të lëvizjes në kufi”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/