RTSH 24 Live

Aktualitet

Zgjerimi i rrugës Elbasan—Qafë-Thanë, banorët e Hotolishtit kërkojnë garanci

5 orë para

Zgjerimi i rrugës Elbasan—Qafë-Thanë, banorët e Hotolishtit kërkojnë garanci

Banorët e Njësisë Administrative Hotolisht, në Librazhd, kanë shprehur shqetësime për ndikimin që mund të ketë zgjerimi i rrugës Elbasan–Qafë-Thanë.

Sipas tyre, ky projekt mund të dëmtojë lagjen historike përgjatë luginës së Shkumbinit, duke ndikuar negativisht në ekonominë dhe jetesën e tyre.

511 kanë firmosur një peticion kundër projektit.

"Ne, banorët e njësisë administrative Hotolisht, kërkojmë ndryshime të projektit aktual të rrugës Elbasan—Qafë-Thanë, pasi ai dëmton rëndë jetën tonë dhe shpërfill interesat e komunitetit. E theksojmë se ne nuk jemi kundër ndërtimit të rrugës. Ne jemi kundër që kjo rrugë të kalojë mespërmes fshatit tonë, kur nuk ka asnjë shenje rruge të mëparshme."

Ata theksojnë se nuk janë kundër zgjerimit të rrugës, por janë të shqetësuar për mënyrën se si është parashikuar kalimi i saj mespërmes fshatit.

"Është një dëm i madh për të gjithë banorët. Nuk ka lidhje të fshatrave, që është qendër komunitare për të gjithë zonën. / Kemi gati një vit që e kemi ngritur shqetësimin dhe akoma vetëm me thashethemnaja po jetojmë. Duket sikur do të na sjellin ndonjë psikolog që të na qetësojnë, por ne nuk kemi nevojë për psikolog. Kemi nevojë për zgjidhje," u shprehën dy banorë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka deklaruar se është duke rishqyrtuar projektin për të minimizuar ndikimin në komunitet, duke përfshirë mundësinë e kalimit të rrugës përmes një tuneli.

Banorët shprehen se do të organizojnë protesta për të kërkuar që zgjidhja të jetë e pranueshme dhe për të mbrojtur të ardhmen e fshatit të tyre.

/rtsh.al/