Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi të zhvilluar me Asambletë Socialiste të njësive 1 dhe 2 në Pezë, Ndroq dhe Vaqarr, u ndal gjerësisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), afatet që duhet të plotësohen për grup-kapitujt, si dhe në luftën kundër korrupsionit.
Duke theksuar ndryshimin e imazhit të Shqipërisë, Rama nënvizoi se duhet ta shfrytëzojmë në maksimum këtë moment për t’u bërë pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Evropian.
Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, sipas Ramës, do të ishte si ngritja e dytë e flamurit kombëtar pas vitit 1912 dhe një mision patriotik.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, në këndvështrimin tim, është ngritja e dytë e Flamurit Kombëtar pas 1912. Ngritja e flamurit në 1912 ishte Pavarësimi nga perandoria dhe shpallja e sovranitetit të shqiptarëve mbi territorin e Shqipërisë, por vazhdimësia ka qenë një histori e ngatërruar dhe e vështirë për shqiptarët. Ndaj anëtarësimi në BE është që në këtë kornizë sovraniteti, ne të garantojmë liritë individuale, të garantojmë barazinë para ligjit dhe të garantojmë standardet e bashkëjetesës demokratike. Të gjitha këto garantohen vetëm duke qenë pjesë e BE-së.
Zgjedhjet e 11 majit kanë një arsye shumë të veçantë për Shqipërinë sepse përkojnë me një moment historik shumë të veçantë, kur rrethanat tona dhe ato evropianë janë përputhur. Faktikisht na kanë hapur një dritare mundësie shumë e madhe por njëkohësisht dhe shumë e lidhur me këtë periudhë. Që do të thotë që nuk do të rri hapur pa fund, por dhe mund të mbyllet sikurse u hap.”
Rama tha se çlirimi nga vetoja greke ishte arsye për nisjen e negociatave vitin e shkuar dhe po të bëhej një bilanc, Shqipëria do të kishte "bilancin më të shpejtë nga të gjithë të tjerët para nesh".
“Jo se ne i kemi bërë shpejt detyrat tona por vullneti nga ata është një vullnet i veçantë për shkak të rrethanave historike ku ndodhet BE. Kemi hapur grupkapitujt dhe do të vazhdojmë të hapim kapituj të rinj në një kohë shumë të shkurtër. Korniza që kemi vendosur së bashku me BE është fundi i 2027, është jashtëzakonisht ambicioze, është unikale dhe këtë se ka bërë asnjë vend tjetër më parë. Mali i Zi që është në të tren lë të themi me ne, këto që po bëjmë ne sot ka vite që i bënë dhe e gjitha kjo ka të bëjë me rrethanat. Kjo është kaq e ngushtë si hapësirë kohore, saqë edhe 6-muaj mund ta ndryshojnë komplet këtë trajektore.”
/rtsh.al/