RTSH 24 Live

Politikë

"2025, votë për SPAK", Alibeaj: Koalicioni ynë "kingmaker" për krijimin e qeverisë

5 orë para

"2025, votë për SPAK", Alibeaj: Koalicioni ynë "kingmaker" për krijimin e qeverisë

Partitë e vogla opozitare, mes tyre edhe disa grupime që garojnë rishtas në zgjedhjet politike të këtij viti, mendojnë se duke bashkuar forcat mund të bëhen faktor për krijimin e qeverisë tjetër.

Në emisionin "Pa censurë" të gazetares Elona Meço, deputeti Enkelejd Alibeaj, njëherësh bashkëdrejtues i partisë së re "Djathtas 1912", tha se koalicionin opozitar e kanë bashkuar realisht vlerat, jo llogaritë politike. Për këtë fakt, ai theksoi se partitë e reja nuk parashikojnë koalicion me liderët kryesorë politikë, si kryeministrin Edi Rama apo kryedemokratin Sali Berisha.

"Kemi prezantuar një platformë në dhjetor të vitit të kaluar. Kemi dashur të mos bëjmë një aleancë individësh, por një aleancë vlerash, ndryshe nga 'aleanca e qelbësirave' e 2013-ës, një bashkim forcash rreth disa vlerave. Pak janë, por janë të rëndësishme: mbështetja pa kushte e SPAK-ut, mbajtja e raporteve të shëndetshme me Perëndimin dhe mbi të gjitha, vlera e tretë, që është teknike, por edhe politike, garimi me lista të hapura.

Për aq sa do të ketë hapësirë në këto zgjedhje që të bashkohemi, të shtyrë edhe prej sistemit zgjedhor, i cili vështirëson jetën dhe punën e subjekteve të reja ndarazi.

Sipas analizës sime janë 30 për qind e shqiptarëve që nuk marrin pjesë në votime, nga ata këtu, jo që kanë ikur. Për të ulur 71-shin [shumicën parlamentare] e Edi Ramës do duhet që edhe këta shqiptarë, të cilët nuk duhet të rrinë në divan më 11 maj, por të dalin të votojnë një nga partitë e reja. Mbas 11 majit, historia e 'kingmaker' ka marrë nota pexhorative si LSI-ja dikur, por unë nuk besoj që është çështje 'kingmaker' sesa mbajtja fort e vlerave që sapo thashë. 0 koalicion [me Ramën dhe Sali Berishën]. Njerëz të cilët kanë kontribuar për të goditur individualisht SPAK-un, ose njerëz që kanë probleme të drejtpërdrejta me drejtësinë, që kanë kontribuar në mbylljen e listave, sigurisht që nuk do të na shihni asnjëherë krah tyre," u shpreh z. Alibeaj.

Ish-drejtuesi i lartë i Partisë Demokratike në këto zgjedhje do të konkurrojë në Tiranë.

Ai tha se ftesa për zgjerimin e koalicionit të deritanishëm u është bërë disa partive të reja opozitare, edhe ish-kryetarit të tij Lulzim Basha, dikur në krye të PD-së, por tani në karrigen e parë të Demokratëve Euroatlantikë. Ftesa i ka shkuar edhe Lëvizjes Bashkë, parti me prirje politike të majta.

"Deri tani janë dy. Z. [Dashamir Shehi] dhe Bindja Demokratike. Ua kemi çuar sot rreth 6–7 subjekteve të reja, si 'Lëvizja Bashkë', 'Shqipëria Bëhet', 'Nisma Thurje', 'Lidhja Shqiptare' dhe disa të tjera.

Në realitetin shqiptar ku është gjithë publiku shqiptar duket se një ndarje e madhe janë qëndrimet që mbahen ndaj drejtësisë së re, ndaj SPAK-ut. Deri në këto momente, këto [parti] kanë mbajtur një qëndrim mbështetës ndaj drejtësisë. Sot drejtësia është kauza më e madhe politike, institucionale e së ardhmes, ndaj është e udhës që të bashkojmë forcat. Jam dakord që fushata duhet bërë mbi baza programatike, por në një situatë emergjente ku po kalon vendi sot, me gjithë arrestimet e SPAK-ut majtas e djathtas, kur Berisha dhe Rama janë bërë bashkë për shkrirjen e SPAK-ut, duket se është emergjencë kombëtare ruajtja e këtij ishulli të ri drejtësie, që po sulmohet nga dy të vjetrit," tha z. Alibeaj.

I pyetur rreth çështjes se kush do e drejtojë koalicionin e partive opozitare me peshë më të vogël, deputeti Alibeaj tha se ai beson te tiparet e Dashamir Shehit, që tani drejton Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar.

"Unë jam nga ata që kur dal në rrugë me z. Shehi ndihem mirë. Ai është nga ata që ka treguar më herët sesa ne koherence, qëndrim të pjekur politik, analitik, që nuk i trembet sfidave. Një nga sfidat është listat e hapura. Unë mendoj se si kjo fytyrë qytetare ka nevojë sot politika e re," u shpreh z. Alibeaj.

/rtsh.al/