Zyra e Kryeministrit të Kosovës i kërkon Gjykatës Themelore në Prishtinë që të detyrojë Prokurorinë Speciale për t’i marrë dëshminë kryeministrit Albin Kurti në zyrën e tij.
“Kryeministri ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij. Kërkesa e tij që kjo të ndodhë në ambientet e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Me respekt kërkohet nga Gjykata që të detyrojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit”, tha Zyra e Kryeministrit.
Zyra e kryeministrit Kurti pretendoi se ekzistojnë praktika kur zyrtarë të lartë janë intervistuar në ambientet e punës dhe kjo mund të përsëritet edhe me kreun e qeverisë. Në letrën drejtuar Gjykatës, zyra e Kurtit hodhi dyshime se thirrja e prokurorisë është politike.
“Ka dyshime të forta që kjo thirrje nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik. Prokuroria për vite me radhë ka dështuar në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe në vend të adresimit të këtyre problemeve, po tenton të krijojë një perceptim të gënjeshtërt kundër Kryeministrit”, tha Zyra e Kryeministrit.
Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës i kërkoi Kurtit të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit për një çështje në hetim, pas dyshimeve për shpërdorime me rezervat shtetërore. Kryeministri i Kosovës ka refuzuar dy kërkesat e saj, ndërsa kjo e fundit i kërkoi Gjykatës Themelore të urdhërojë kryeministrin të paraqitet për të dëshmuar.
/rtsh.al/