RTSH 24 Live

Kosovë

Vijon numërimi në Kosovë, LVV kryeson me 80% të votave nga përfaqësitë diplomatike

9 orë para

Vijon numërimi në Kosovë, LVV kryeson me 80% të votave nga përfaqësitë diplomatike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë vijon publikimin e të dhënave nga numërimi i votave të ardhura nga përfaqësitë diplomatike.

Sipas përditësimit të fundit nga 93 për qind e votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 80,75 për qind.

Në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 7,48 për qind, e cila pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 7,45 për qind të votave.

Ndërkaq, koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën Socialdemokrate deri tani ka marrë 1,93 për qind të votave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesit, të cilit po i vjen fundi, po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Më 8 shkurt u zhvillua procesi i votimit në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës me gjithsej 43 vendvotime.

Në proces morën pjesë 15.352 votues apo 75,57 për qind e numrit që ishte regjistruar si votues. 

Këtë të premte, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka nisur edhe numërimi i votave të ardhura me postë nga diaspora.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/