RTSH 24 Live

Kosovë

Kushtetuesja Europiane i hap dyert Kosovës, pranohet si anëtare me të drejta të plota

5 orë para

Kushtetuesja Europiane i hap dyert Kosovës, pranohet si anëtare me të drejta të plota

Pas 13 vitesh që nga aplikimi i saj në 2011-ën, Gjykata Kushtetuese e Kosovës është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Konferencën e Gjykatave Kushtetuese Europiane.

Ky vendim historik për Kosovën dhe për sistemin e saj kushtetues, që e integron atë plotësisht në rrjetin evropian, u konfirmua gjatë Takimit Përgatitor të Kongresit të Gjykatave Kushtetuese Evropiane, që u mbajt në Tiranë.

"U votua me votat e shumicës së anëtarëve pranimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ndihem krenare dhe e emocionuar që pata mundësinë të kontribuoj sadopak në pranimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në këtë forum shumë të rëndësishëm, i cili mbetet një forum teknik, jopolitik, që synon të përmirësojë kualitetin e drejtësisë kushtetuese për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ta gëzojë Kosova!" u shpreh Holta Zoçaj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Teksa Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mban presidencën si kryesuese e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane për harkun kohor 2024–2027, kryetarja Zaçaj konfirmoi lajmin e mirë.

"Kongresi i Gjykatave Kushtetuese Europiane do të mbahet në maj 2027 në Tiranë dhe do të përbëjë në fakt një nga eventet kryesore të drejtësisë kushtetuese, por dhe të drejtësisë në përgjithësi, jo vetëm për Shqipërinë, por të gjithë Europën," deklaroi znj. Zoçaj.

Në këtë aktivitet morën pjesë kryegjyqtarë dhe përfaqësues nga 32 Gjykata Kushtetuese europiane.

Gazetare: Jonida Omeri

/rtsh.al/