RTSH 24 Live

Rajon

Greqia në heshtje zgjedhore, të dielën qytetarët vendosin për Mitsotakis ose Tsipras

20/05/2023

Greqia në heshtje zgjedhore, të dielën qytetarët vendosin për Mitsotakis ose Tsipras

Greqia do të mbajë zgjedhjet kombëtare këtë të diel, më 21 maj, në mes të krizës ekonomike dhe rritjes së kostos së jetesës që po dëmton ekonomikisht familjet.

Partia konservatore Demokracia e Re e kryeministrit Kyriakos Micotakis kërkon të mbajë pushtetin, përballë sfidimit nga partia e krahut të majtë SYRIZA, e udhëhequr nga Aleksis Cipras.

Rreth 9,81 milionë grekë mbi 17 vjeç kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 21 majit. Në zgjedhje garojnë 36 parti më të mëdha politike, për 300 vendet në parlamentin grek.

Për të formuar qeverinë, një parti ose koalicion duhet të sigurojë shumicën e deputetëve, respektivisht të paktën 151 mandate. Partia konservatore e kryeministrit Kyriakos Micotakis thotë se do të ruajë një rritje të fortë ekonomike dhe do të rrisë pagat, për t'i afruar ato me mesataren e Bashkimit Evropian si dhe vendosjen e  rregullave më të ashpra të emigracionit, duke përforcuar njëkohësisht arsenalin ushtarak.

Micotakis premton rritjen e pagës mesatare me më shumë se 25% në 2023-2027, në 1.500 euro nga 1.170 euro, me pagën minimale mujore nga 780 euro në 950 euro. Pagat e sektorit publik gjithashtu do të rriten me një përqindje të papërcaktuar nga viti 2024.

Pensionet do të rriten me 3,4% nga janari 2024. Ndërkohë i majti Aleksis Cipras, kryeministër në periudhën 2015-2019, gjatë kulmit të krizës greke të borxhit, thotë se partia e tij Syriza do të rrisë pagat dhe pensionet dhe do të mbrojë punëtorët. SYRIZA premton rritjen e pagës minimale mujore në 880 euro nga 1 korriku 2023 dhe rivendosjen e marrëveshjeve kolektive.

Ai thotë se paga minimale do të rritet çdo vit, ashtu siç rritet inflacioni. Të majtët gjithashtu premtojnë reduktimin e orëve të punës në 35 nga 40 në javë. Ata premtojnë rritjen e menjëhershme e pagave në sektorin publik me 10%, si dhe rritjen e të gjitha pensioneve me 7,5%.

Ndërsa sot mbizotëron heshtja zgjedhore, shumë zhurmë është zhvilluar në tik tok dhe mediat e tjera sociale, ku shtrohet pyetja në se do të vërtetohen sondazhet që japin fitues konservatorët në fuqi me rreth 6 pikë dhe se si do të jenë zhvillimet të hënën, në një peizazh politik thellësisht të ndarë, pasi sistemi proporcional i thjeshtë i këtyre zgjedhjeve ,nuk i jep asnjë partie shumicën absolute.

/rtsh.al/