RTSH 24 Live

Ekonomi

Gjykata Kushtetuese rrëzon padinë për shfuqizimin e akcizës së birrës: Nuk cenohet liria ekonomike!

16/07/2024

Gjykata Kushtetuese rrëzon padinë për shfuqizimin e akcizës së birrës: Nuk cenohet liria ekonomike!

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar të martën kërkesën e Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike për shfuqizimin e pjesshëm të ligjeve nr. 81/2022 dhe nr. 94/2023 për akcizat, për pjesën që parashikon unifikimin e akcizës së birrës nga malto për të gjithë prodhuesit pavarësisht sasisë së prodhimit vjetor.

Në njoftimin për vendimmarrjen thuhet se Gjykata Kushtetuese çmoi se gjatë gjykimit nuk u provua se ndryshimet ligjore kanë cenuar thelbin e lirisë së veprimtarisë ekonomike apo e kanë vënë në rrezik atë deri në atë masë që të vihet në dyshim ekzistenca e saj. Në këtë këndvështrim, unifikimi i akcizës nuk përbën një mjet joproporcional.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel akciza ishte 710 lekë.

Pas ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl, si vendas dhe të huaj.

Njëzëri prodhuesit vendas kanë paralajmëruar disa herë se dyfishimi i akcizës jo vetëm do të rriste peshën e birrës së importit në treg, por do të çonte drejt falimentimit industrinë vendas.

 
/ rtsh.al /