RTSH 24 Live

Botë

Gjykata e Lartë e SHBA-së kritikon argumentet e TikTok për ndalimin e platformës

11/01/2025

Gjykata e Lartë e SHBA-së kritikon argumentet e TikTok për ndalimin e platformës

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka shqyrtuar të premten një çështje ligjore të rëndësishme që mund të detyrojë aplikacionin TikTok të shesë aksionet e tij në SHBA ose të ndalohet deri më 19 janar. Ky ligj është ndërmarrë për të adresuar shqetësimet për sigurinë kombëtare, duke pretenduar se TikTok, i cili është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, mund të përdoret nga qeveria kineze për të mbledhur të dhëna të ndjeshme të përdoruesve dhe për të ushtruar ndikim në shpërndarjen e informacionit.

TikTok dhe ByteDance kanë kundërshtuar ligjin, duke e quajtur atë shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane që mbështet lirinë e fjalës. Avokatët e TikTok kërkuan që Gjykata e Lartë të ndërhyjë dhe të ndalojë përkohësisht ligjin, duke theksuar se një ndërprerje e mundshme e aplikacionit do të dëmtonte masivisht përdoruesit dhe të ardhurat nga reklamat.

Gjykatësit e Gjykatës së Lartë, të përbërë kryesisht nga një shumicë konservatore, shfaqën shqetësime për sigurinë kombëtare dhe mundësinë që të dhënat e përdoruesve amerikanë të mund të shfrytëzoheshin nga Kina. Gjyqtari Brett Kavanaugh ngriti pyetje mbi rreziqet afatgjata të mbledhjes së të dhënave nga përdoruesit e rinj të TikTok dhe mundësinë që ky informacion të përdorej për qëllime spiunazhi.

Avokati i TikTok, Noel Francisco, argumentoi se ky ligj mund të mbyllë një nga platformat më të popullarizuara në SHBA dhe kërkoi një bllokim të përkohshëm të tij.

Francisco e cilësoi aplikacionin një nga platformat më të njohura ku amerikanët ushtrojnë lirinë e fjalës dhe shtoi se në thelb Tik-Tok do të mbyllej më 19 janar pa u shitur.

"Është vetë fjalimi, kjo frikë se amerikanët edhe nëse janë plotësisht të informuar, mund të binden nga keqinformimi kinez. Megjithatë, ky është një vendim që Amendamenti i Parë ua lë njerëzve", tha Avokati i TikTok, Noel Francisco.

Gjykata e Lartë mund të marrë një vendim të shpejtë dhe të bllokojë hyrjen e ligjit në fuqi nëse të paktën pesë nga nëntë gjykatës mendojnë se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën.

Kjo çështje është pjesë e tensioneve të vazhdueshme mes SHBA-së dhe Kinës, dy ekonomive më të mëdha në botë dhe ka implikime të mëdha për përdorimin e teknologjive të huaja në SHBA.

/rtsh.al/