RTSH 24 Live

Kosovë

Gjonaj: Moment historik për Kosovën votimi pro në Asamblenë e KiE-së

17/04/2024

Gjonaj: Moment historik për Kosovën votimi pro në Asamblenë e KiE-së

Deputetja socialiste Etilda Gjonaj e ka quajtur një ngjarje historike votën pro të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i cila i hap  rrugën anëtarësimit të Kosovës në KiE.

E pranishme në në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, deputetja socialiste e ka vlerësuar si një moment historik ku Kosova u votua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës për të qenë anëtare me të drejta të plota.

“Është një ditë historike, jo vetëm për Kosovën, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë bashkëkombësit shqiptar, pasi pasja e Kosovës në Këshill të Europës I jep asaj mundësinë, jo vetëm të avancojë me vlerat dhe standardet e Këshillit të Europës, por njëkohësisht edhe për të krijuar më shumë stabilitet dhe paqe në rajon”u shpreh deputetja.

Sipas deputetet Gjonaj, “ky ishte një proces ku Kosova arriti që me meritën e saj, me forcimin e demokracisë, me konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut të merrte rekomandimin dhe raportin pozitiv nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe njëkohësisht me një raport tepër objektiv nga zonja Bakoyannis dhe opinionet e tjera të dhëna nga kolegët deputetë duke bërë të mundur kështu pasjen e këtij vendimi pozitiv nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës”.

Si anëtare e delegacionit parlamentar nga Shqipëria, Gjonaj u shpreh se, “kemi bashkëpunuar në mënyre të vazhdueshme, hap pas hapi me delegacionin, me kolegët tanë, me miqtë tanë të Kosovës, duke mundësuar që edhe në bashkëpunim me delegacionet e 46 shteteve  të kishim sot këtë vendimmarrje positive”.

Deputetja Gjonaj ka falënderuar në mënyrë të veçantë të gjithë delegacionet e shteteve që na mbështetën në këtë rrugëtim të Kosovës, ku tashmë jo më pak se gati dy vjet që nga dorëzimi i aplikimit, Kosova  ka bërë përpjekjet e saj të vazhdueshme për të qenë dhe për të marrë këtë vendim pozitiv.

“Gjithashtu është një moment për t’u vlerësuar pasi të gjitha përpjekjet e përbashkëta dhe me delegacionin e Kosovës, por veçanërisht ministria e jashtme e Shqipërisë, kryeministri Rama në bashkëpunim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, me të gjithë aktorët që janë në arenën ndërkombëtare kanë bërë të mundur duke lobuar me qëllim që ky vendim sot të kishte këtë rezultat” shtoi më tej deputetja socialiste.

/rtsh.al/