Edhe pas vendimit të Ministrisë së Arsimit për zhvillimin e procesit mësimor të alternuar,online dhe fizikisht,asgjë nuk ka ndryshuar për shkollën e mesme profesionale “Thoma Papapano” në Gjirokastër.Ky proces vijon normalisht, duke u paraqitur çdo ditë në shkollë,nxënës e mësues.Sipas drejtuesve të këtij institucioni arsimor, kjo është mënyra e vetme për të realizuar një proces mësimor cilësor në një shkollë profesionale.
“Pas konsultimit me trupën pedagogjike,me nxënësit dhe prindërit vendosëm që ta vazhdojmë procesin mësimor në kushtet e skenarit të parë.Kjo për arsye se kemi infrastrukturë të posaçme,kemi ambjente të bollshmë,klasa me ngrohje.Një pjesë e nxënësve tanë janë konviktorë dhe ishte i pamundur zhvillimi i mesimit i alternuar. Një pjesë e rëndësishmë për shkollën tonë janë praktikat profesionale.Këto zhvillohen në ambjente të posaçme, ku nxënësi duhet të jetë prezent,ç’ka është e pamundur të realizohet online. Grupet e mëdha i kemi ndarë për të zbatuar protokollin e sigurisë.” – shprehet drejtoresha Renata Puleri.
Nxënësit janë të vetëdijshëm se vetëm me prezencë në orën e mësimit mund të marrin njohuritë e duhura.
“Jam maturant që studioj në drejtimin Instalues i Sistemeve Termohidraulike.Kjo ishte një zgjidhje që e vendosëm së bashku me mësuesit.Duke qënë se orët e praktikës janë të shumta ramë dakort që të mos i humbasim ato,duke e zhvilluar mësimin normalisht”
“Unë ndjek drejtimin Shërbime në Mjete Transporti.Ky është viti i fundit dhe nuk mund t’i anashkalonim praktikat.Ato janë shumë të rëndësishme për t’u rritur profesionalisht.”
Shkolla “Thoma Papapano” frekuentohet nga 154 të rinj që vijnë nga zona të ndryshme të jugut të Shqipërisë.Në të funksionojnë tre drejtime, që synojnë përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes: Shërbime në Mjete Transporti,Elektroteknikë dhe Instalues i Sistemeve Termohidraulike.