RTSH 24 Live

Sociale

Gjirokastër, 454 maturantë zhvilluan provimin e gjuhës së huaj

03/06/2021

Gjirokastër, 454 maturantë zhvilluan provimin e gjuhës së huaj

Startoi sot sezoni i provimeve të Maturës Shtetërore 2021 me testin e gjuhës së huaj. Në Gjirokastër iu nënshtruan këtij provimi 454 maturantë, të ndarë në katër qendra administrimi. Të rinjtë e kanë vlerësuar tezën të nivelit mesatar, ndërsa shprehen se gjithçka u zhvillua sipas rregullores.

“Ishte pak i vështirë. Përmbante alernativa dhe hartim të dy teksteve. Ishin tema të trajtuara në programin mësimor.” –tha një maturante

“Për mua, testi i gjuhës frënge ishte i thjeshtë. Ishin ushtrime që i kishim punuar edhe me mësuesen. Teza përmbante tekste mbi të cilat ishin përgatitur pyetjet të cilat ishin dhe me shtjellim dhe me alternativa, ushtrime gramatikore dhe në fund ishin letrat dhe eseja. Më e vështirë ishte eseja pasi donte shumë kohë dhe donte formulim të saktë të fjalive. Koha ishte e mjaftueshme.” – u shpreh një tjetër maturante.

“Mund të them që nuk ishte dhe aq i vështirë, por  te pjesa e tekseve duhej të ishe i kujdesshëm. Nëqoftëse kishe studiuar mirë, mund të zgjidhej lehtë. Unë u testova në gjuhën angleze dhe më të vështira për mua ishin alternativat, pasi duhej t’i studioje paragrafët me radhë që të zgjidhje alternativën e saktë” – u përgjigj një prej maturanteve.

Provimi i radhës është ai i gjuhës shqipe i cili do të mbahet më datën 7 qershor.