RTSH 24 Live

Europë

Gjermania kundër Borrell: Jo ndërprerje të bisedimeve politike me Izraelin

5 orë para

Gjermania kundër Borrell: Jo ndërprerje të bisedimeve politike me Izraelin

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock e hodhi poshtë propozimin e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell për të pezulluar dialogun e rregullt politik me Izraelin në përgjigje të luftërave në Gazë dhe Liban.

“Ne jemi gjithmonë në favor të mbajtjes hapur të dialogut. Sigurisht, kjo vlen edhe për Izraelin”, tha përmes një deklarate Ministria e Jashtme gjermane në përgjigje të propozimit të Borrell. 

Baerbock tha se dialogjet politike në kuadër të Këshillit të Asociimit BE-Izrael japin një mundësi të rregullt për të diskutuar respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ofrimin e ndihmës humanitare për njerëzit në Rripin e Gazas.

“Ndërprerja e dialogut, nga ana tjetër, nuk do të ndihmonte askënd, as palën palestineze dhe as atë izraelite”, thuhet në deklaratë.

Borrell propozoi më herët gjatë ditës që shtetet anëtare të BE-së të pezullonin dialogun politik me Izraelin për luftën e tij në Rripin e Gazas e cila ka sjellë shkelje të të drejtave të njeriut dhe ligjit humanitar. Nisma, e cila iu paraqit në një takim të ambasadorëve të BE-së të mërkurën, tani do të diskutohet në një takim të ministrave të Jashtëm të hënën në Bruksel.

/rtsh.al/