RTSH 24 Live

Europë

Spanja dhe Italia është sërish në alarm, moti i keq godet Malagën. Përmbytjet ndodhin edhe në Siçili

23 orë para

Spanja dhe Italia është sërish në alarm, moti i keq godet Malagën. Përmbytjet ndodhin edhe në Siçili

Málaga dhe sektori jugor i Tarragona janë në alarm të kuq.

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa rrugë, ndërsa probleme të ngjashme ka edhe në pjesë të veçanta të spitalit Clínico, ku punëtorët po heqin ujin.

Moti i keq ka përfshirë rajonin e Sicilisë në Itali, duke shkaktuar përmbytje dhe dëme të mëdha. Në Torre Archirafi, një fshat në Riposto (provinca e Catanias), rrugët u kthyen në lumenj, duke marrë automjetet përpara, të cilat më pas përfunduan në det.

Mbrëmë janë evakuuar 3 mijë persona, ndërsa sot janë evakuuar edhe banorë të tjerë të krahinës. Autoritetet vlerësojnë se alarmi do të qëndrojë në të njëjtin nivel të paktën deri në mesnatë.

Pak para dy pasdite (me orën lokale), treni me shpejtësi të lartë AVE midis Malaga-s dhe Madridit pushoi së funksionuari.

Pak kohë më vonë, një stacion në Malaga u evakuua ndërsa këshilli i qytetit pezulloi funksionimin e autobusëve të qytetit.

Një paralajmërim portokalli për shi është lëshuar për rajone të tjera të Andaluzisë, Katalonjës dhe Valencias. Qeveria rajonale e Valencias ka kufizuar deri të enjten trafikun privat në komunat e zonës zero të Valencias.

Përmbytje në Siçili

Në Siçili, ujërat e përmbytjeve lanë makinat në Torre Archirafi të Siçilisë të mërkurën, madje duke i çuar disa prej tyre në det.

Përmbytjet janë pasojë e shirave të rrëmbyeshëm në Siçili që kanë kthyer rrugët në lumenj në qytetin afër Catania-s.

Shërbimet e urgjencës kanë marrë mbi 30 kërkesa për ndihmë. Deri më tani nuk ka raportime për persona të zhdukur për shkak të motit ekstrem, raporton agjencia italiane e lajmeve Ansa.

Zjarrfikësit shpëtuan disa shoferë të bllokuar në makinat e tyre nga përmbytjet në qytetin e Aci Sant'Antonio. Një person tjetër u shpëtua nga shërbimet e urgjencës pasi shtëpia e tij u përmbyt në Acireale.

Sipas mediave italiane, deri tani nuk raportohet për persona të lënduar. Në Aci Sant'Antonio, zjarrfikësit shpëtuan disa persona që ishin bllokuar në një supermarket të mbushur me ujë dhe disa shoferë që ndodheshin të bllokuar në makinat e tyre.

Në Altarello, një fshat tjetër i Riposto, një lumë ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur katin e parë të një shtëpie ku ndodheshin katër persona, dy prej të cilëve me aftësi të kufizuara. Zjarrfikësit e Catanias ndërhynë me një mjet anfib për t’i shpëtuar. Në total, deri në orët e para të mëngjesit të mërkurën, zjarrfikësit kanë realizuar 64 ndërhyrje në të gjithë provincën.

/rtsh.al/