Borshi është një fshat i madh dhe i bukur, me histori të lashtë, në zonën e Bregut apo siç njihet, riviera shqiptare dhe bën pjesë në bashkinë e Himarës, në rrethin e Vlorës.
Borshi kufizohet në lindje nga Ftera dhe ka një popullsi mbi 2500 banorë. Fshati quhet ndyshe edhe perla e jugut n'a tregojnë banorët.
Duke mbërritur nga ana e Sarandës, në Borshin e sotëm me shtëpi të shpërndara, sapo kapërcen Qafën e Thanasit dhe del në Sheshin Melqinja, befas të shfaqet një pamje magjike me detin pafund, Borshi i sotëm!
Vija e bardhë bregdetare duket e pafundme, me kilometra të tërë deri ku arrin syri. Lugina e Borshit me ullinjtë dhe portokallet që i kane shpëtuar manisë shkatërruese të viteve të tranzicionit, i shtojnë ngjyrën e gjelbër dekorit blu të detit dhe qiellit që së bashku përbëjnë atë magji që gllabëron shpirtin e njeriut. Male, fushë dhe det! Si një oaz i pakrahasueshëm klimatik dhe njëkohësisht origjinal!
Një breg me hapësirë detare të pafund rrethuar me brezare dhe plantacione ullinjsh e agrumesh, në këtë formë piktoreske, shpaloset para syve tanë Borshi.Pozicioni i përshtatshëm gjeografik me ujëra të shumtë , ka favorizuar banimin e kësaj treve që nga lashtësia.
Borshi u sulmua dhe u pushtua nga ushtarët grekë, më 1913. Kur luftimet morrën shtrirje të gjerë, përfshinë edhe Borshin duke përfunduar me largimin e ushtarëve pushtues grekë.
Kalaja e Borshit ose Kalaja e Sopotit siç njihet në histori, ndodhet mbi një kodër të fshatit Borsh që është 500m mbi nivelin e detit.
Borshi i vjetër, ai që u dogj nga grekët në vitin 1914, ndodhet pak më lart se ky i riu, mbas kalasë së Sopotit dhe është konsideruar në histori si porta detare e Kurveleshit dhe e Labërisë. Fshati mund të ketë pasur mbi 600 shtëpi, asnjë përdhese, sistemim urbanistik, shumë dyqane si punishte artizanale dhe shitblerjeje, shkollë fillore dhe gjysëm të mesme në Turqisht dhe institucionin e kultit islamik. Trualli ku shtrihej Borshi i Vjetër është shkretuar, ndërsa Borsh i Ri nuk u ndërtua dot, Shumica e fshatarëve që u përzunë prej hordhive greke, nuk u kthyen. Ata që u kthyen, ndërtuan shtëpitë e tyre, në tërësi përdhese në parcelat apo pranë parcelave të pronave të tyre shumë të shpërndara.
Ky fshat nuk ka vetëm natyrën e bukur, detin, qiellin, gjelbërimin por edhe shumë objekte kulturorë dhe historikë që tregojnë për lashtësinë e banorëve të kësaj zone.
“Fshati Borsh është krijuar nga ardhja e njerëzve nga Kurveleshi e Myzeqeja, ka qenë fshat i krijuar lart por kanë ikur banorët pak e ngapak dhe kanë ardhur këtu poshtë dhe u stabilizuan këtu. Më parë këtu kanë qenë rreth 60 shtëpi e më pas erdhën banorë të tjerë nga zonat e tjera dhe merreshin kryesisht me bujqësi dhe blegtori por e paktë ka qenë blegtoria”, shprehet një i moshuar.
Tani disa banorë janë larguar në mërgim, e disa kanë ngelur në Borsh dhe vazhdojnë traditën e blegtorisë dhe bujqësisë duke synuar njëkohësisht zhvillimin e agroturizmit të cilin e shikojnë si perspektivën e vetme për zhvillimin ekonomiko-social të zonës së tyre.
“Tani rreth 500 banorë janë këtu. Këta merren me bujqësi dhe blegtori si më përpara. Borshi shquhet për vajin, është me bollëk dhe i mirë, tani janë bërë 5 fabrika për vajin në zonën tonë , të tërë me ullinj merren këtu tani edhe me agrume . Të rinjtë, shumica kanë ikur në mërgim dhe n'a merr malli shumë. Kemi turistët që n'a vijnë, turistë vijnë shumë dhe vendas dhe të huaj, janë bërë pallate poshtë edhe i mirëpresin ata banorë që kanë mundësi”, shprehet një nënë e moshuar.
Në borsh vitet e fundit investimet kanë qenë të shumtë jo vetëm për tërheqjen e vizitorëve vendas edhe të huaj por kryesisht për të përmirësuar jetesën e banorëve të këtushëm në mënyrë që ata që kanë ngelur, të qëndrojnë dhe të mos largohen.