RTSH 24 Live

Politikë

Formatimi i qeverisë, Berisha: Ansamblit të krimit dhe drogës iu shtuan anëtarë të rinj

11/09/2023

Formatimi i qeverisë, Berisha: Ansamblit të krimit dhe drogës iu shtuan anëtarë të rinj

Demokratët mendojnë se miratimi i ndryshimeve të fundit në qeverinë socialiste nuk e ndryshojnë zanafillën e problemeve që kanë shqiptarët, që sipas tyre mbetet kryeministri Edi Rama.

Dekretet presidenciale për riformatimin e kabinetit u miratuan të hënën (11 shtator) nga parlamenti.

Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, përsëriti akuzat e javës së kaluar rreth emrave që do të kenë në dikasteret e rëndësishme, si diplomacia, shëndetësia apo arsimi.

Ish-kryeministri pretendon se e kaluara e tyre lë për të dëshiruar.

"Kjo seancë ishte tipike me një sesion që mund të zhvillohet në shpellat e thella apo bodrumet e mafies. Kjo shëmbëllente me një takim të mafiozëve në të gjitha aspektet. Të gjitha ndryshimet e qeverisë kishin diktat krimin dhe vetëm krimin.

Largohet Olta Xhaçka, e cila pasi bëri burrin investitor strategjik në shkelmim të kushtetutës, u vërsul e papërmbajtur drejt pronave të ushtrisë dhe nuk ka lënë pronë pa vjedhur e përvetësuar me klanin e saj. Erdhi në qeveri përfaqësuesi direkt i 'Ndrangheta-s, Arbjan Mazniku.

Unë ju garantoj se Ansamblit të krimit dhe drogës që qeveriste, iu shtuan anëtarë të rinj. Ndryshimet, mos harroni, filluan me Taulant Ballën, njeriun i cili në vitet studentore merrej me trafik. Diplomatët shqiptarë e kanë denoncuar atë," deklaroi Berisha pas përfundimit të seancës plenare që vulosi zëvendësimet e reja në qeverinë shqiptare.

Ndërsa deputeti demokrat, Gazment Bardhi, kërkoi debat para votimit, por kërkesa e tij nuk u plotësua.

"Ne nuk kemi asnjë shpjegim se pse ditën e parë të shkollës shkarkohet ministrja e Arsimit dhe emërohet dikush tjetër. Nuk kemi asnjë sqarim publik se pse shkarkohet ministrja e Jashtme në një kohë kur përpara kemi Samitin e Berlinit dhe presidencën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Ajo që vihet re është që edhe kur propozimet e kryeministrit vijnë për propozim, ai është i paaftë të vijë për t'i mbrojtur, sepse shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se sado makijazh të bëjë Edi Rama në përbërjen e kabinetit, vulën e korrupsionit që kjo qeveri mban në ballë për shkak të tij, ai nuk e heq dot.

Sa i përket emërimeve apo emrave të rinj, nuk ka asnjë rëndësi se si quhen ministrat e rinj apo të vjetër të Edi Ramës. Njëlloj do të vazhdojnë të mbrojnë koncesionin e sterilizimit, njëlloj do të vazhdojnë të bëjnë pagesa për incineratorët, njëlloj do të vazhdojnë të mbrojnë korrupsionin e Edi Ramës, sepse problemi i kësaj qeverie nuk janë anëtarët e kabinetit, por kryeministri Edi Rama," u shpreh Bardhi.

/rtsh.al/