RTSH 24 Live

Politikë

Fitoi zgjedhjet më 4 gusht, Vangjel Tavo betohet si kryebashkiak i Himarës

2 orë para

Fitoi zgjedhjet më 4 gusht, Vangjel Tavo betohet si kryebashkiak i Himarës

Vangjel Tavo është betuar si kryetar i Bashkisë së Himarës në mbledhjen e sotme (30 shtator) të Këshillit Bashkiak.

Në fjalën e tij para anëtarëve të Këshillit Bashkiak, Tavo premtoi se do t’i shërbejë çdo banori pa dallim bindjesh politike, pasi sikurse theksoi ai, Himara është e pandarë.

Tavo u shpreh po ashtu se, bashkia do të jetë transparetë në administrimin dhe përdorimin e fondeve publike.

Kryebashkiaku siguroi se zbatimi i ligjit, transparenca, bashkëpunimi, përgjegjshmëria, gjithpërfshirja dhe shërbimi, do të jenë parime të panegociueshme për të.

Unë do drejtoj duke i shërbyer çdo banori, pa dallim bindjesh politike, statusi shoqëror apo përkatësie zone e krahine. Kjo bashki nuk do ketë ngjyrë partiake sepse Himara është një dhe e pandarë.

Bashkia e Himarës nuk do jetë preferenciale por gjithëpërfshirëse, nuk do jetë një godinë burokratike por një qendër komunitare me zemër e me mendje, që përkujdeset thellësisht për nevojat jetike të banorëve e që ideon plane zhvillimore që do konsolidojnë Himarën e së ardhmes, ashtu siç e meriton, kartolinë e jugut dhe e rivierës së vendit, destinacioni më mikpritës, më tërheqës e më i mrekullueshëm i vizitorëve vendas e të huaj.

Kjo bashki do jetë transparente në administrimin dhe përdorimin e fondeve publike sikurse edhe mikpritëse për çdo lloj bashkëpunimi me sektorin jo-publik që i shërben zhvillimit të Himarës dhe përmirësimit të standardit të jetesës së banorëve”, u shpreh Tavo.

Tavo u zgjodh në këtë detyrë më 4 gusht, ku fitoi garën me rreth 1500 vota më shumë se kundërshtari i tij Petraq Gjikuria. Tavo do të ushtrojë mandatin e kryebashkiakut për 3 vite, deri në 2027 kur do të mbahen zgjedhjet e radhës lokale.

Zgjedhjet në Himarë erdhën pasi KQZ-ja i hoqi mandatin ish-kryetarit të zgjedhur Fredi Beleri.

/rtsh.al/