RTSH 24 Live

Politikë

Bojkoti opozitar, Peleshi: Skenar i provuar, i pasuksesshëm. PS vijon mbledhjet normalisht

3 orë para

Bojkoti opozitar, Peleshi: Skenar i provuar, i pasuksesshëm. PS vijon mbledhjet normalisht

Teksa opozita ka paralajmëruar bojkot të jetës parlamentare pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji, kreu i grupit parlamentar socialist Niko Peleshi ka deklaruar se skenarë të tillë, të provuar më parë, kanë rezultuar të pasuksesshëm.

Në fjalën e tij për media pas mbledhjes së grupit parlamentar, Peleshi nuk pranoi të komentonte vendimin e Apelit për Salianjin, duke thënë se mazhoranca nuk komenton vendimet e gjyqësorit.

“Shpresoj të mos shkojmë në bojkot, bllokime të natyrës së dhunshme, në skenarë që janë provuar më parë të jenë të pasuksesshëm.

Nuk e kemi kuptuar mirë vendimmarrjen e opozitës. shpresoj të mos përkthehet si bojkot. Bllokim gjithashtu se di çdo të thotë. Ne na qëndron mbi krye ligji, rregullorja, që ne, opozita dhe çdo shqiptar do i zbatojë. Ne e kemi bërë kulturë politike të mos komentojmë zhvillimet e organeve të drejtësisë. Nuk e kemi bërë as kur ndonjë koleg yni ka pasur çështje të hapur.

Drejtësia të ketë punën e vetë, ekzekutivi punën e vetë”, u shpreh Peleshi.

Ky i fundit theksoi se puna e komisioneve parlamentare, seanca plenare do të vijojnë normalisht, pavarësisht prezencës apo jo të opozitës.

“Do ndjekim me përgjegjshmëri jetën parlamentare, komisionet që do vazhdojnë dhe seancat, seanca e sotme e rëndësishme për komunitetet. PS, deputetët dhe trupa e kësaj organizate ka qenë në terren në shumë takime gjatë javës së kaluar dhe në kuadër të një aktiviteti politik të shtuar me fazën ku po futet politika shqiptare drejt zgjedhjeve të vitit që vjen.

Sot është zhvilluar një seanca ku kaloi raporti për pozicionin e Shqipërisë në raport me BE, është hap para në këtë proces, ne po e ndjekim me seriozitet. Në mbledhje kanë marrë pjesë pak deputetë të opozitës. ashtu si ligjet, veprimtaria prodhuese. Ne pavarësisht do e vazhdojmë jetën parlamentare. Zgjedhje e opozitës nëse do marrë pjesë ose jo”, u shpreh Peleshi.

/rtsh.al/