RTSH 24 Live

Aktualitet

Sekuestrohen prona e automjete në emër të një qytetareje, ishin të vëllait të saj të dënuar në Angli

2 orë para

Sekuestrohen prona e automjete në emër të një qytetareje, ishin të vëllait të saj të dënuar në Angli

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar 6 prona të paluajtshme dhe 6 automjete në llogari të shtetases Irma Hasani, pasi dyshohet se janë vënë nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikut të drogës të vëllai të saj, i dënuar në Angli.

Hasani, e  cila është e punësuar prej vitit 2011 në ‘Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare’, me një pagë bruto 61.000 lekë, sipas prokurorisë Tiranë nuk i justifikon blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme. Nga hetimet rezulton se transfertat e dyshimta në llogaritë bankare janë bërë gjatë periudhës 2022-2024 pas arrestimit të vëllait të saj Oltion Hasani në Angli për trafik droge.

Sipas Prokurorisë Tiranë brenda një periudhe një mujore, ajo ka përfituar në llogarinë e saj vlerën 180.000 euro cash ose nëpërmjet transfertave bankare, nga ish kunati, tezja apo njerëz të tjerë të afërt. Nga fondet e kredituar në llogari, vlera 160,000 Euro është transferuar nga Irma Hasani në llogarinë e noterit me qëllim blerjen e një pasurie të llojit apartament. Ndërsa ka në pronësi edhe pesë prona të tjera të paluajtshme dhe 6 automjete.

“Nga analiza në tërësi e provave dhe akteve të administruara nga hetimi i këtij procedimi penal, arrihet në konkluzionin se pasuritë e paluajtshme të Irma Hasanit dhe Oltion Hasanit dhe familjareve të tyre janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, në të cilat ka qenë i përfshirë vëllai i saj. Organi i akuzës dyshon se pasuritë e krijuara nga Irma Hasani dhe familjarët e saj janë të krijuara nga burime të paligjshme dhe nuk i përgjigjen nivelit të të ardhurave të Irma Hasanit si dhe nuk justifikohen me të ardhurat e realizuara edhe prej aktiviteteve tregtare të regjistruara ose punësimi i tyre me periudha të pjesshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Tiranë.

Konkretisht Prokuroria Tiranë ka sekuestruar 6 prona të paluajtshme dhe 6 automjete: Volkswagen golf 5; Renault Clio; Audi Q3; Volvo CX60; Mercedes Benz ML350 BLUETEC; dhe Audi SQ7.

/rtsh.al/