RTSH 24 Live

Aktualitet

Julian Meçe dëshmon për vrasjet e Vajdin Lames e Klodian Saliut në 2005: S’e njoh të penduarin e drejtësisë

2 orë para

Julian Meçe dëshmon për vrasjet e Vajdin Lames e Klodian Saliut në 2005: S’e njoh të penduarin e drejtësisë

Julian Meçe ka dëshmuar këtë të hënë (30 shtator) në seancën për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në 2005.

Për këto ngjarje akuzohen Emiljano Shullazi, Plaurent Dervishaj, Lulzim Berisha, Endrit Rusi dhe Endrit Taullai, ndërsa Meçe ka dëshmuar sot për herë të parë me kërkesë të disa prej avokatëve.

I depërtuar në muaj gusht nga Dubai, Julian Meçe ka deklaruar se nuk e njeh të penduarin e drejtësisë Luftar Reçi, ndërsa shtoi se në kohën kur përmendet në dëshminë e Luftar Reçit ka qenë në burg në Itali duke vuajtur dënimin për trafik droge.

“Luftar Reçin as nuk e njoh dhe as nuk kam patur lidhje deri kur nisi ky proces. Nga viti 2004-2011 unë kam qenë duke vuajtur një dënim për trafikim narkotikësh në Itali. Lul Berishën e njoh, kemi pasur miqësi. Edhe me Lentin (Plaurent Dervishaj), njihem, kam miqësi, kemi qenë komshinj në Durrës. Kur ne kemi qenë në Dubai bashkë me Lentin, dhe u lëshuan masat e sigurimit, Plaurenti shprehu habi dhe u indinjua duke thënë se nuk kishte lidhje. Ai me tha se asgjë nuk e ka lidhur me Viktor Imerin e Emiljano Shullazin. Lenti shprehu indinjatë që Prokuroria nuk mori parasysh edhe prova të tjera që e shfajësojnë atë në lidhje me vrasjet”, ka dëshmuar Julain Meçe gjatë seancës.

Në dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi, ai ka pretenduar se në 2004 në një drekë me rreth 20 persona, ndodheshin edhe Lulzim Berisha dhe Julian Meçe.

Julian Meçe akuzohet për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grupi organizata kriminale”. Ai akuzohet lidhur me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj.

Gjithashtu më 26 shkurt 2005, në Durrës, Plaurent Dervishaj, në bashkëpunim me 3 persona të tjerë dyshohet se kanë vrarë shtetasin Klodian Saliu me armë zjarri dhe më datë 27 shkurt 2005, Plaurent Dervishaj, në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se kanë vrarë Vajdin Lamajn dhe Artan Arsi, me eksploziv.

Julain Meçe ishte numri dy i bandës së Durrësit të Lulzim Berishës dhe mik i ngushtë me Plarent Dervishajn, i cili është edhe kunati i Lul Berishës. Më 20 qershor të 2019 Julian Meçajt dhe Plarent Dervishajt iu bë një atentat në  autostradën Tiranë-Durrës, ku si pasojë mbetën të plagosur të dy. 

/rtsh.al/