RTSH 24 Live

Politikë

Tabaku e Paloka të vetmit te “Integrimi": Mbështesim procesin, por s’janë plotësuar kushtet. Peleshi: Jo bllokim të këtij komisioni

3 orë para

Tabaku e Paloka të vetmit te “Integrimi": Mbështesim procesin, por s’janë plotësuar kushtet. Peleshi: Jo bllokim të këtij komisioni

Partia Demokratike duket se ka nisur skenarët që paralajmëroi se nuk do të ketë më asnjë marrëdhënie korrekte institucionale me mazhorancën, pas arrestimit të deputetit demokrat Ervin Salianji. Në Komisionin e Integrimit ku do të diskutohej “Pozicioni Negociues për Grupimin e parë të kapitujve "Themelorët", për negociatat për anëtarësimin në BE”, nga opozita janë paraqitur vetëm kryetarja Jorida Tabaku dhe anëtari Edi Paloka.

Tabaku theksoi se mbështet çdo hap që hidhet pro integrimit të procesit të Shqipërisë në BE, por shton se vendi nuk ka plotësuar asnjë kusht për integrimin. Sipas saj Shqipëria duhet t’i kishte nisur diskutimet për grup-kapitujt e parë një dekadë më parë, ndërsa shtuan se vendi ka probleme madhore me korrupsionin, krimin e organizuar dhe zgjedhjet në vend.

Deputetja demokrate tha se ka pasur mungesë të vullnetit politik për një reformë zgjedhore dhe se Mazhoranca përdor institucionet shtetërore në funksion të manipulimit të votës.

“Për të qenë të ndershëm deri në fund me njëri tjetrin, data e sotme për hapjen e negociatave duhet të ishte një dekadë më parë. Asokohe kur iu futëm detit me dallgë në këmbë për të siguruar një tryezë në procesin e anëtarësimit dhe të gjithë biem dakord që kjo bisedë duhet të ishte zhvilluar dhjetë vjet më parë Partia Demokratike është e vetëdijshme që sot ndodhemi larg një vendi me kushte të plotësuara, por ne besojmë se ky është një proces për Shqipërinë e shqiptarët jo për politikën. Prandaj e mbështesim avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe angazhimi jonë në këtë proces ka qenë i qartë. Një hap më shumë drejt BE-së do të thotë një Shqipëri më pranë ndërtimit të një demokracie perëndimore dhe sundimit të ligjit, respektit të votës së lirë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por mbi të gjitha respektimit të demokracisë dhe ndarjes së pushteteve. Ky dështim vjen prej vullnetit politik të shumicës që refuzon të pranojë faktet e shprehura në rekomandimet e qarta të OSBE-ODIHR mbi përdorimin e buxhetit dhe qeverisë, si dhe pushtetit për të blerë vota, në shkrirjen e shtetit me pushtetin. Përdorimi i institucioneve shtetërore për të ndikuar në votime dhe zgjedhje, si dhe përdorimi i të dhënave personale të qytetarëve në ndërtimin e një databaze partiake me qëllim përdorimin e tyre në ditën e zgjedhjeve. Ne propozojmë që kjo të ndodhë brenda vitit 2024, ndryshe sa propozon qeveria mbas zgjedhjeve të 2025.

Balanca e pushteteve dhe respektimi i shtetit ligjor janë sot në rrezik Janë mbi 9 vendime të Gjykatës Kushtetuese që kanë faktuar përpjekjet antikushtetuese dhe antidemokratike, Një shtet i korruptuar është produkt i një lidhjeje të ngushtë mes kapjes së institucioneve të qeverisjes nga grupet kriminale. Lidhjet e tyre të forta me njerëz të rëndësishëm në drejtimin e policisë dhe jo vetëm, dëshmojnë një lidhje të fortë mes krimit të organizuar dhe politikës, që shfaqet si në favore penale ashtu edhe në ato përmes tenderave dhe jo vetëm. Nxitja e një klime politike pa sulme ndaj opozitës është thelbësore për një demokraci funksionale. Gjatë periudhës zgjedhore, është e rëndësishme të sigurohet trajtimi i drejtë dhe i paanshëm i të gjitha forcave politike. Kjo përfshin garantimin e proceseve transparente dhe të drejta për të gjithë liderët politikë dhe zyrtarët lokalë, duke forcuar kështu institucionet demokratike”, tha Tabaku.

Edhe deputeti demokrat Edi Paloka akuzon qeverinë se prej 11 vitesh nuk ka mundur të plotësojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe se drejtësia e re është e kapur nga kryeministri Edi Rama.

“Nuk besoj që ka shqiptar që nuk e di pozicionin e PD lidhur me integrimin, kemi qenë ne iniciatorët për integrimin e Shqipërisë dhe do të jemi pro kësaj pasi e shohim si mënyrën e vetëm për përmirësimin e Shqipërisë për qytetarët dhe jo politikën. Sot Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht që kërkon sot BE. Disa nga pikat që duam të adresojmë është reforma elektorale e bllokuar prej 11 vitesh nga regjimi dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it nuk plotësohen prej 11 vitesh dhe regjimi nuk lejon zhvillimin e zgjedhjeve të barabarta dhe vijon ta manipulojë atë. Në zyrat e gjykatave janë plot 138 mijë dosje që qytetarëve u duhet të presion për një  proces civil 14.6 vite dhe një proces penal plot 10 vite që të rri në dyert e kësaj drejtësie të reformuar. Kjo drejtësi sot është tërësisht e kapur dhe në duart e Ramës. Sot në prag të zgjedhjeve të gjithë krerët e partive të opozitës janë ose në arrestim ose në persekutim publik ose në çështje penale nga kjo drejtësi e reformuar”, tha Paloka.

Lidhur me deklarata e opozitës ka tërhequr vërejtje Niko Peleshi, i cili tha se ky mikrofon i këtij komisioni nuk duhet të përdoret për deklarata politike. Sipas tij opozita duhet të ishte e pranishme në këtë komision pasi fillon një proces i rëndësishëm për integrimin që është në shërbim të qytetarëve dhe jo politikës.

“Ta fillosh këtë mbledhje pa e deklaruar të hapur, pa parë nëse ka kuorum ose jo dhe pa njoftuar se për çfarë kemi në diskutim, të shfrytëzosh këtë mikrofon për politike nuk është qytetare. Ne e respektuam fjalën, nuk dolëm jashtë, ne jemi 10 deputetë dhe ju jeni vetëm dy. Nuk e di se si ky fillim i një momenti kaq të rëndësishëm si mund të quhet kjo pjesëmarrje dhe ky fillim si mund të quhet mbështetje. Ju keni të drejtën tuaj për të shfrytëzuar qëndrimin tuaj në politikë, por të paktën në këtë komision të mos kemi peng marrje të mikrofonit dhe të vijoni me deklarata politike”, tha Peleshi.

Komisioni vijoi punën me dyer të mbyllura për shkak të materialeve të konfidencialitetit lidhur me proceset e integrimit të vendit.

/rtsh.al/