RTSH 24 Live

Politikë

Barazia gjinore, Spiropali: Fuqizimi i grave dhe vajzave, kontribut i domosdoshëm për shoqërinë

2 orë para

Barazia gjinore, Spiropali: Fuqizimi i grave dhe vajzave, kontribut i domosdoshëm për shoqërinë

Kuvendi ka ndjekur praktika dhe po zbaton mekanizma të rritjes së zhvillimit të qëndrueshëm në vend dhe arritjen e barazisë gjinore duke fuqizuar rolin e grave dhe vajzave në shoqëri e politikë. Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali tha se zbatimi i programeve të ndryshme për barazinë gjinore nuk është vetëm një objektiv për t’u arritur, por një e mirë që i duhet një shoqërie të zhvilluar dhe demokratike.

Gjatë veprimtarisë “Roli i parlamentit dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm”, Spiropali tha se shoqëritë duhet të punojnë për të luftuar simetritë e zhvillimit mes tyre, në mënyrë që të mos krijojnë barriera mes vendeve dhe komuniteteve.

“Çdo grua duhet respektuar si qenie njerëzore dhe jo si trofe nderi apo vulë turpi. Këto takime me fokus barazinë gjinore janë objektiva të rëndësishme për të gjitha vendet për një jetësë më të mirë dhe cilësore për qytetarët. Objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm lidhet me krijimin e vizionit afatgjatë që të eliminojmë reformat e ndryshme të pabarazisë. Zhvillimet janë asimetrike dhe për të zbutur këto janë ndërtuar mekanizma, struktura, programe zhvillimi, bashkëpunime dhe janë mobilizuar burime që synojnë që të mos lejojnë që këto asimetri të krijojnë barriera mes vendeve dhe komuniteteve. Në Shqipëri asimetria më e dukshme ishte mes modelit të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale, ku rezultonte në cilësinë e ulët të mirëqenies dhe problemi i varfërisë. Për dy dekadat e para të tranzicionit kemi pasur një rritje ekonomike që nuk premtonte punësim që rëndonte më së shumti mbi gratë. Për të shmangur këtë, me politikat e dekadës së fundit kemi synuar nxitjen e punësimit, rritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe uljen e varfërisë. Gratë dhe vajzat kanë qenë subjekt më delikat si pasojë e aksesit më të pakët në vendimmarrjeje në shoqëri e vendimmarrje politike”, tha Spiropali.

Duke folur për nismat e ndërmarra nga Kuvendi, Spiropali tha se sot 40 % e këtij institucioni janë gra dhe vajza dhe po ndërmerren politika për rritjen e rolit dhe fuqizimit të tyre në shoqëri.

“Pjesëmarrja e grave dhe vajzave në Kuvend është 40 %. 5 nga 8 komisionet e përhershme në Kuvend drejtohen nga kolege gra, 50 deputete në Parlament janë gra dhe kjo ishte e paimagjinueshme disa vite më parë. Objektivat tona janë drejt politikave të barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave drejt një shoqëria më të drejtë dhe të barabartë që janë ndërmarrë nga Kuvendi. Barazia gjinore nuk është në vetvete, por është një kontribut i domosdoshëm për të gjithë shoqërinë”, tha Spiropali.

/rtsh.al/