RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: Të paralizohet qeveria deri në vendosjen e qeverisë teknike

2 orë para

Berisha: Të paralizohet qeveria deri në vendosjen e qeverisë teknike

Kryetari i PD-së, Sali Berisha u bëri thirrje të dielën demokratëve në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, për “t’u hedhur në sulm kundër narko-qeverisë”. Sipas tij, me arrestimin e Ervin Salianjit, demokratët duhet të sulmojnë duke përdorur të gjitha mjetet e mosbindjes civile.

“Kjo mbledhje është thirrur për t’u rënë borive të betejës, për përgjigjen tonë më 7 tetor. Qeveria duhet të paralizohet deri në vendosjen e qeverisë teknike. Pas të gjitha këtyre, shqiptarët presin nga ne sulm dhe vetëm sulm. Revolta jonë, sulmi ynë duhet të jetë në nivelin e sulmeve që na janë bërë për të na fshirë nga faqja e dheut. Ndaj edhe ne do të kalojmë në sulm. Edi Rama ka instrumente për të na burgosur, por ne me guximin e revoltën tonë, e paralizojmë anekënd vendit këtë narko-qeveri kriminale, armike e egër e lirive. Të hidhemi në sulm me të gjithë mjetet e mosbindjes civile. Kjo mbledhje është thirrur për t’u rënë borive të betejës, për përgjigjen tonë më 7 tetor. O sot o kurrë, pa kthim mbrapa. Të paralizohet qeveria deri në vendosjen e qeverisë teknike”, tha Berisha.

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka njoftuar se protesta e paralajmëruar do të zhvendoset në datën 7 tetor, ditën e hënë. Edi Paloka njoftoi para demokratëve se thirrja për qytetarët është që të protestojnë duke nisur nga Kryeministria dhe më pas në të gjitha rrugët e kryeqytetit.

VENDIMI I KËSHILLIT KOMBËTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Rendi kushtetues ka rënë dhe balanca mes pushteteve është asgjesuar. 

Në Shqipëri, një person i vetëm, Kryeministri, ka grumbulluar çdo pushtet në duart e tij. 

Ka asgjesuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përmes bllokimit prej 11 vjtësh të një Reforme Zgjedhore kuptimplotë, duke mos reflektuar asnjë prej Rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Shkelja e barazisë së palëve në zgjedhje dhe mohimi i të drejtës për Qeveri asnjanëse Teknike për zgjedhjet e ardhshme, synojnë deformimin e vullnetit të qytetarëve dhe pengimin me forcë të rotacionit politik. 

Edi Rama përdor Parlamentin, drejtësinë dhe mediat për të ruajtur pushtetin e tij personal dhe për të rrënuar ekonomikisht qytetarët shqiptarë. 

Maxhoranca në Parlament refuzon me votë të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për dorëzimin e bashkëpunëtorëve të tij përpara drejtësisë. 

Lideri i opozitës dhe Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mbahet në arrest shtëpie antikushtetues prej gati një viti përmes një dosje të fabrikuar nga PS, pa fakte, pa dëshmitarë, duke e penguar me forcë dhe pa ligj aktivitetin e tij politik. 

Eurodeputeti Fredi Beleri u zgjodh duke qenë në burg, pasi u arrestua dy ditë para zgjedhjeve, pas një fushate publike deniguese nga kryeministri dhe pas një fitorje të pritshme të tij si kryebashkiak. Ndaj tij nuk u paraqit asnjë provë dhe nuk u lejua të betohej pas fitores së zgjedhjeve, sepse kryeministri e sheh Jugun e Shqipërisë si një pronë private për t’u pasururar përmes korrupsionit. 

Këtë javë, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD, deputeti Ervin Salianji, u burgos në një proces gjyqësor politik, sepse denoncoi lidhjet e trafikantëve të drogës me qeverinë shqiptare, përkatësisht të vëllait të ministrit të brendshëm. Burgosja e një deputeti pa ligj dhe prova është mesazh politik për heshtjen e opozitës, asgjesimin e saj dhe ekzekutimin e lirisë së shprehjes. 

Për këtë arsye, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike:

Ditën e hënë, datë 7 Tetor 2024, ora 18:00, fton qytetarët shqiptarë të bëhemi të gjithë bashkë në Tiranë, për të reaguar kundër padrejtësive me autor të vetëm Edi Ramën. Mospajtimi me padrejtësinë është mision i çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Mospajtimi me të keqen fillon nga Kryeministria dhe shtrihet atë ditë në të gjithë rrugët e Tiranës.

/rtsh.al/