RTSH 24 Live

Kulturë

Festohet Dita e Pavarësisë së Durrësit - Kujtohen figurat që kontribuan për qytetin

26/11/2024

Festohet Dita e Pavarësisë së Durrësit - Kujtohen figurat që kontribuan për qytetin

Në qytetin e Durrësit është përkujtuar 112 vjetori i pavarësisë. Në 26 nëntor të 1912  patriotët durrsakë morën vendim për ngritjen e flamurit, para mbërritjes së Ismail Qemalit në Vlorë. Një ndër emrat që kujtohet në këtë datë është firmëtari e pavarësisë nga Durrësit Ymer Deliallisi. Pasardhësi i kësaj familje, Avdulla Deliallisi thotë se ndihem shumë krenar që Durrësi ishte qyteti i parë që ngriti flamurin.

 “Ndihem shumë krenar sepse Durrësi ishte i pari qytet i Shqipërisë që shpalli Pavarësinë  me datën 26 nëntor”, u shpreh Avdulla Deliallisëi, i afërm i Ymer Deliallisit.

Në ceremoninë simbolike të ngritjes së flamurit, morën pjesë drejtues të pushtetit lokal, deputetë të kuvendit, përfaqësues të veteranëve, të klerit etj. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako tha se kjo është ngjarja më e rëndësishme në historinë e këtij qyteti,  teksa kujtoi kryetarin e bashkisë së asaj kohe, Hafiz Ali Podgorica dhe  patriotët e tjerë që ngritën flamurin kuqezi.

 “112 vjet më parë, kryetari i bashkisë së Durrësit, Hafiz Alipodgorica, ngriti flamurin shqiptar me 26 nëntor të vitit 1912 një akt i shenjtë dhe një kujtesë për vlerat më të shtrenjta dhe sakrificat e panumërta që janë bërë në këtë vend”, u shpreh Emiriana Sako, Kryetare e Bashkisë së Durrësit.

Në këtë ngjarje të shënuar po vlerësohet kontributi i madh patriotik i atdhetarëve durrsakë, si Agostin Sereqi, Sotir Veveçka, Sulejman Kadiu, Stefan e Marie Kaculini, Dom Nikollë Kacrri, Ymer Deliallisi, Abaz Çelkupa e të tjerë emra të cilët janë gdhendur në historinë e shtetit shqiptar.

/RTSH/