RTSH 24 Live

Sociale

Festat e fundvitit, publikohet shuma dhe kategoritë e pensionistëve që shpërblehen

27/11/2024

Festat e fundvitit, publikohet shuma dhe kategoritë e pensionistëve që shpërblehen

Qeveria vendosi të mërkurën shpërblimin, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë, të personave, sipas kategorive të mëposhtme ku përfshihen personat që përfitojnë pension pleqërie, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë; personat që përfitojnë pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social; ata që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit financiar, si fëmijë në përkujdesje të Republikës; personat që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit të veçantë financiar; si dhe ata që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar, si veteranë të LANÇ-it.

Në vendimin e qeverisë përfshihen edhe personat që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë; personat që përfitojnë pension, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, përfshirë edhe këtë masë që lidhet me pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë; personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, përfshirë edhe këtë masë, sipas  ligjit “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”.

“Shpërblimin e marrin edhe personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, që lidhet me trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake, si dhe personat që përfitojnë pension për shkak të profesionit të vështirë, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, përfshirë edhe këtë masë, sipas ligjit “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Ndërsa shpërblimin, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë, do të marrin personat sipas kategorive të mëposhtme:

a) Personat që përfitojnë pension pleqërie, me masë pensioni mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë, sipas ligjit “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;

b) Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, mbi masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, sipas ligjit “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”;

c) Personat që përfitojnë pension, me masë pensioni mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë, sipas ligjit “Për pensionet e punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë”;

ç) Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë” me masë përfitimi mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë;

d) Personat që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, me masë përfitimi mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë, sipas ligjit “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

dh) Personat që nuk përfitojnë pension, por që përfitojnë vetëm pension shtetëror të posaçëm, të caktuar në përputhje me nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”;

e) Personat që nuk përfitojnë pension sipas ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, por përfitojnë pension suplementar, të caktuar sipas ligjit “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;

ë) Personat që përfitojnë pension për shkak të profesionit të vështirë, sipas nenit 5, të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve, që kanë punuar në metalurgji”, me masë përfitimi mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë.

Të drejtën për të përfituar shpërblimin, në masën e përcaktuar sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi, e kanë edhe ata persona që kanë datë të fillimit të përfitimit, deri në datën 31.12.2024, duke përfshirë edhe këtë datë, dhe kanë të drejtë të marrin vetëm një herë këtë shpërblim pavarësisht se mund të përfitojnë më shumë se një përfitim.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 9 873 862 000 lekë, e ndarë në 9 805 225 000 lekë për shpërblimin dhe 68 637 000 lekë shpenzime administrative për dhënien e shpërblimit.

Shpërblimet kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2024 dhe paguhen gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor 2024, ato paguhen deri në datën 30.6.2025. Shpërblimet e pa tërhequra parashkruhen pas datës 30.6.2025.

Administrimi

Administrimi i fondeve buxhetore të shpërblimit të pensionistëve, caktimi i shpërblimit për çdo përfitues dhe pagesa realizohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Posta Shqiptare, sh.a., dhe bankat e nivelit të dytë, sipas të njëjtave procedura, që zbatohen për administrimin e fondit të sigurimeve shoqërore.

Efektet financiare, prej 9 873 862 000 lekësh, përballohen, si më poshtë vijon:

a) Në masën 3 650 000 000 lekë, nga fondi “Kontingjencë për bonusin e pensionistëve”, i miratuar në buxhetin e vitit 2024;

b) Në masën 2 444 000 000 lekë, nga fondi “Për indeksimin e pensioneve”, i miratuar në buxhetin e vitit 2024;

c) Në masën 3 779 862 000 lekë, nga buxheti i shtetit dhe buxheti i planifikuar për sigurimet shoqërore, për vitin 2024”.

/rtsh.al/