RTSH 24 Live

Sociale

Faktorët e rrezikut të lindjes së parakohshme, gjinekologia Omeri: 1 në 10 fëmijë janë prematurë

5 orë para

Faktorët e rrezikut të lindjes së parakohshme, gjinekologia Omeri: 1 në 10 fëmijë janë prematurë

Lindja para kohe, para javës së 37-të të shtatzënisë, është një fenomen që ndodh gjithnjë e më shpesh.

Sipas statistikave, një në dhjetë fëmijë lind para kohe, dhe kjo është shkaku kryesor i vdekjeve të fëmijëve deri në moshën 5 vjeçare. Lindjet para kohe klasifikohen në varësi të kohës kur ndodhin: prematuritet ekstrem (para javës së 28-të), prematuritet i rëndë (nga java 28 deri në 32), dhe prematuritet i moderuar (nga java 32 deri në 37).

Sipas gjinekologes Xhensila Oemri, faktorët që ndikojnë në lindjen para kohe janë të shumtë, dhe ndonjëherë nuk mund të identifikohen shkaktarë të qartë, sidomos në rastet e lindjeve spontane.

Disa nga faktorët kryesorë përfshijnë problematikat shëndetësore të nënës, si diabeti, hipertensioni, ose historia e lindjeve të mëparshme para kohe. Gjithashtu, mosha e nënës, puna fizike intensive, duhani dhe faktorët e tjerë të jetesës janë gjithashtu të lidhura me një rrezik më të lartë për lindje para kohe.

“Nëse flasim për lindje para kohe është kur ndodh para javës së 37-të dhe ajo klasifikohet në varësi se sa herët vjen,. Kur vjen para javës së 28-të ne e cilësojmë si prematurë ekstrem, dhe ajo që ndodh nga java 28 deri në 32, është prematurë e rëndë, nga 32-37 prematuurë e moderuar. Sa më afër ditës së s tij të lindjes të lind bebi aq më mirë e përballon prematuritetin, sa më herët sidomos para javës së 28 komplikacionet i ka më të rënda dhe beteja me jetën jo gjithmonë e fitojnë. Fëmijët që lindin në muajin e 7 janë më problem se ato që lindin në muajin e 8. Besimi në popullsi është mit që ka ngelur që prej kohës kur nuk ka pasur ekzaminim imazherik. Sot lind 1 në 10 fëmijë në lindje të parakohshme. Kjo është shkaku kryesor i vdekjeve të fëmijëve në moshën 5 vjeç, janë shumë faktorë që ndikojnë. Kemi dy grupe, lindje para kohe të induktuar dhe lindje para kohe spontane dhe ka një diferencë të madhe mes këtyre të dyjave.

Lindja para kohe e induktuar është lindje e bërë nga mjeku pasi rrezikohet jeta e nënës ose e bebit nëse vijon të qëndrojë në mitrën e kësaj nëne. Lindja premature spontane sot është një sfidë pasi nuk gjendet një shkak i mirëfilltë. Këto lindje edhe pasi bëjmë të gjitha ekzaminimet nuk gjejmë asnjë shkak. Ka të bëjë shumë anomalitë të lindura të mitrës, të qafës së mitrës e cila nuk mban dot peshën e bebit. Kur nëna ka probleme me diabetin, hipertensionin ka risk të madh për lindje të parakohshme. Kur nëna vet ka lindur para kohe ka një risk më të lartë për të lindur edhe vete fëmijë para kohe. Mosha e gruas ka gjithashtu ndikim, kur nënat vijnë sot mbi të 30-tat. Mënyra e jetesës, duhani, stili i jetesës etj., janë të gjithë faktorë që ndikojnë”, u shpreh Omeri në një intervistë për “Mirëmëngjesi Shqipëri”.

Një nga sfidat kryesore për fëmijët që lindin para kohe është zhvillimi i organeve, veçanërisht i mushkërive, ku sipas gjinekologes Omeri, janë ende të brishta në fazat e hershme të lindjes. Gjinekologia Omeri tha se shumë prej këtyre fëmijëve përballen me komplikacione të rënda dhe kërkojnë trajtim intensiv në inkubator për të mbijetuar. Në kohët e sotme, shtoi gjinekologia, përpjekjet për të mbajtur fëmijët që lindin para kohe në inkubatorë gjithnjë e më të sofistikuar po rriten, në mënyrë që të mund të mbështesin zhvillimin e organeve të fëmijës dhe të ofrojnë mundësi mbijetesë.

“Sot po investohet në aparatura që të mbajmë sa më gjatë bebat në inkubator që një bebe të mbijetojë. Organet më të brishta që formohen në fund të lindjes së bebit janë mushkëritë dhe ato janë të dobëta dhe këta fëmijë nuk ia dalin dot, ose shfaqin komplikacione. Ka një grup pacientësh që lindin para kohe por nuk ka asnjë shkak, ne nuk e dimë. Nëse kjo ndodh femra ndjen dhimbje të barkut dhe kur këto kontraksione bëhen të shpeshta, kur ke hemorragji sado pak është shenjë alarmuese që tregon s epo futesh në riskun e një lindje para kohe. Nëse nëna është nën peshë ose obeze, punët e forta fizike që ngrenë pesha apo qëndrojnë për orë të gjata në këmbë janë faktor risku për lindje të parakohshme”, tha gjinekologia Omeri.

17 Nëntori, Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme, konsiderohet si një mundësi për të tërhequr vëmendjen ndaj problemeve dhe dhimbjeve që ajo shkakton. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo vit në shkallë globale lindin para kohe rreth 15 milionë foshnja. Për fat të keq, komplikimet prej lindjes së parakohshme, janë ndër shkaqet kryesore të vdekjes së foshnjave në pesë vitet e para të jetës.

/rtsh.al/