Eurovision Song që do të zhvillohet në Malmö, Suedi, tashmë ka hyrë në një fazë shumë emocionuese, pasi ka filluar numërimi mbrapsht. Të martën më 7 maj do të jetë gjysmëfinalja e parë, të enjten më 9 maj do të jetë gjysmëfinalja e dytë dhe të shtunën më 11 maj do të jetë finalja e madhe 2024.
Pas renditjes nga ana e organizatorëve të edicionit të 68-të të Eurovision 2024 Malmo, të gjithë shqiptarët, të cilët prej dekadash ndjekin këtë ngjarje të madhe të muzikës evropiane dhe botërore, do të kenë mundësinë të dëgjojnë përfaqësuesen e Shqipërisë në këtë edicion, Besa Kokëdhima më 9 maj, në gjysmë-finalen e dytë. Kënga e saj “TITAN” do të jetë e dyta që do të këndohet në mbrëmjen e dytë të gjysmë-finales.
Versioni i ri në anglisht i këngës vjen si në bashkëpunim me producentë të njohur botërorë si Gia Koka, Serban Casan dhe Alias LJ dhe producentin e njohur shqiptar Kledi Bahiti.
Video-klipi është realizuar në Stamboll dhe vjen si një trinom që kombinon tekstin, mesazhin dhe muzikën.
Me këngën “Zemër n'dorë” (TITAN), Besa Kokëdhima fitoi besimin e publikut për të përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 68-të të Eurovizion, që do të mbahet në Malmo të Suedisë. Teksa u ngjit në skenë për të marrë çmimin, e emocionuar Besa Kokëdhima falënderoi ekipin realizues të këngës, po ashtu edhe stafin realizues të Festivalit të 62-të Këngës në RTSH.
Festivali Evropian i Këngës 2024 do të jetë në edicionin e 68-të të tij. Ai është planifikuar të zhvillohet në Malmö, Suedi, pas fitores së përfaqësuesit të saj në Eurosong 2023 me këngën "Tattoo" nga Loreen. Organizuar nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) dhe transmetuesi pritës Sveriges Television (SVT), gara do të mbahet në "Malmö Arena" dhe do të përbëhet nga dy gjysmëfinale më 7 dhe 9 maj dhe një finale më 11 maj 2024. Do të jetë hera e tretë që konkursi zhvillohet në Malmö, i cili e ka organizuar më 1992 dhe 2013, dhe hera e shtatë në Suedi, e cila e organizoi për herë të fundit këtë ngjarje muzikore në Stokholm më 2016.
/rtsh.al/