Që nga 1 dhjetori, Shkodra është përfshirë zyrtarisht nga atmosfera festive.
Sheshet kryesore të qytetit të tërheqin pas vetes, nisur nga dritat e shumëllojshme, dekori festiv, të gërshetuara me shtëpizat që ofrojnë shërbime dhe produkte për të gjithë, si dhe lojërat për fëmijë, të cilat janë kryefjalë e ditëve festive të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.
Stafi organizator i bashkisë ka përgatitur një kalendar të ngjeshur me aktivitete, ku përfshihen si më të vegjlit – të cilët këtë vit do të kenë mes tyre Babagjyshin dhe lodra të shumta, ashtu edhe të rinjtë, që do të shijojnë muzikë çdo mbrëmje në “Shkodra n’Festë” me këngëtarët më të njohur në vend.
Në vigjilje të festës së Krishtlindjes, familjet katolike nuk e harrojnë kurrsesi traditën e realizimit të “Betlehemit”, vendi ku lindit Jezu Krishti mbi 2 mijë vite më parë.
Në lagjen e Gjuhadolit, shumë besimtarë të krishterë kanë përgatitur një të tillë në shtëpitë e tyre për festa.
Në shtëpinë e tij, 83-vjeçari Gjon Stefa ka ndërtuar një Betlehem të punuar me mjeshtëri nga veta ai.
Betlehemin ai e ka ndërtuar me pamje nga rruga me përmasa dy metër e gjysmë me një e gjysmë e punuar në detaje, e pasuruar me elementë që i ka ndërthurur me shumë kujdes.
Ishte vetëm 12 vjeç kur Gjoni për herë të parë nisi të punonte Betlehemin, duke prerë kartolina me forma dhe madhësi të ndryshme dhe me disa elementë që arrinte të siguronte në atë kohë.
Për Gjonin është viti i shtatë që realizon “Betlehemet” si maket në vigjilje të Krishtlindjes në ambientet e katedrales “Shën Shtjefni” të Shkodrës.
Për ndërtimin e Btlehemit në këto përmasa përveç mundit, kërkohet më tepër fantazi, thotë Gjoni.
Shkodra e ka traditë prezantimin e Betlehemit në të gjitha familjet dhe secila familja është në garë më njëra-tjetrën se kush e realizon më bukur atë.
Betlehemi i gjallë për herë të parë është ndërtuar nga Shën Françesku dhe që nga ajo kohë në shumë vende të botës krijohen të tilla me rastin e Krishtlindjes.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/