RTSH 24 Live

Kulturë

Çelet ekspozita “Paleta e vjetër” e Mjeshtrit të Madh korçar, Roland Karanxha

14 orë para

Çelet ekspozita “Paleta e vjetër” e Mjeshtrit të Madh korçar, Roland Karanxha

Në mjediset e Galerisë "Guri Madhi" në Korçë është çelur ekspozita personale e piktorit të mirënjohur Roland Karanxha.

Nën titullin “Paleta e vjetër” mjeshtri i madh ka sjellë një përmbledhje të shumësisë së përvojave, ndjesive, ideve dhe trazimeve të një jete fizike dhe karriere artistike, me dëshirën për t'u rrëfyer, rishfaqur e kuptuar para frymëzuesit të tij më të hershëm, që është publiku korçar.

"Kjo ekspozitë u bë në prag të Krishtlindjeve, por s'ka lidhje me Krishtlindjet. Është një ekspozitë e bërë nga përvoja e gjatë, nga mbledhja e ideve, ndjesive, vështrimeve të ndryshme, mbresave, nga trazirat e jetës dhe nga krijimtaria artistike, e cila ndikon pastaj dhe sjell hapjen e një ekspozite," tregoi "Mjeshtri i Madh" Karanxha.

Përveç pikturave të prezantuara, djali i Karanxhës ka sjellë para publikut edhe një dimension njerëzor të tij.

"Ai na ka mësuar lirinë. Na ka mësuar edhe kufijtë e të qenët njeri, jo një qenie që plotëson egon e prindit, por një qenie e pakompleksuar, një qenie e lirë. Një human i vërtetë pastaj mund të diskutohet se çfarë trashëgon në talent, virtyte, gjene etj." tha djali i piktorit, Ardi Karanxha.

Kanë qenë të shumtë qytetarët e autoritetet që kanë qenë të pranishëm në ekspozitën personale të Roland Karanxhës, duke shijuar e vlerësuar çdo punim të prezantuar prej tij.

/rtsh.al/