Janë 26 këngëtarë në garën për çmimin e madh në Festivalin e 61 të këngës në RTSH, por duket se nuk do ta kenë të lehtë ta "rrëmbejnë" atë, jo vetëm për shkak të garës së fortë mes tyre, por edhe prej faktit se krijimtaria e tyre do të kalojë në "lupën" e artistëve më të mirë shqiptarë.
Producenti Genc Salihu, këngëtarja Alma Bektashi, profesor Zhani Ciko, poetja Rita Petro dhe këngëtari Elton Deda do të marrin vendimin se kujt do t'i shkojnë çmimet për 3 vendet e para në Fest 61, çmimi për artistët e rinj dhe grupet alternative si dhe çmimi për karrierën.
Po ashtu, në krah të jurisë profesioniste do të jetë në këtë edicion edhe juria e medias, një risi e sjellë nisur nga fakti se Festivali i Këngës në RTSH ka patur gjithnjë mbulim të gjerë në media. Alida Cenaj, gazetare karriere, Jerida Sakaj gazetare e RTSH, Luela Myftari gazetare A2CNN dhe Xhani Shqerra prezantues, do të kenë mundësinë të vlerësojë artistët debutues dhe sëbashku me jurinë profesioniste do të japin çmimin e artist më të mirë debutues të martën mbrëma dhe të vendosë 5 këngëtarët që do kalojnë në natën finale.
Kujtojmë se kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion do të zgjidhet me votat e publikut me anë të SMS-ve.
/rtsh.al/