Qendra muzeore “Ndre Mjeda” në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Shoqërore të UNISHK, Bashkinë Vau-Dejës dhe Këshillin Vendor Rinor organizuan “Ditët e Mjedës” në Kukël, 23 km larg nga Shkodra. Manifestimi i përvitshëm artistik, kulturor dhe promovues, sivjet shënoi edicionin e XIX.
“Është botimi më i ri i veprës së plotë të Mjedës, e gjithë ana politike është e përmbledhur në botimet më të hershme si dhe ato pak vjersha të pabotuara te tij”, u shpreh organizatori Nikë Ukgjini.
Në këtë manifestim u promovua botimi më i ri i veprës së plotë poetike të Ndre Mjedës.
“Një takim i brezit tonë me brezin e ri të cilët janë e ardhmja e kombit tonë. Sot është një ditë e veçantë sepse këtu është kalitur alfabeti i shoqërisë Agrimi dhe Bashkimi të cilët i ka udhëhequr Ndre Mjeda”, u shpreh botuesi Frano Kulli.
Ndre Mjeda është një prej figurave të spikatura të letrave shqipe. Mjeda vlerësohet për kontributet në miratimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Mësuesia dhe meshtaria ishin dy prej aktiviteteve që i ushtroi gjatë gjithë jetës së tij.
Gazetar: Marjo Gjini
/RTSH/